Dy dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhaj kanë zbardhur një sërë krimesh të rënda, vrasje, atentate e shpërthime në disa qytete të Shqipërisë.
“BalkanWeb” sjell një pjesë të rrëfimit të Henrik Hoxhaj, tashmë i penduar i drejtësisë për ditën e atentatit ndaj Dumanit, ku u nisën për të vrarë Elton Kilën, i njohur ndryshe si “Oti”.
Por pasi nuk kanë mundur ta gjejnë shënjestrën, Hoxhaj ka marrë njoftimin se Dumani ishte plagosur.
DËSHMIA
Në datën 29 mars 2022 ne kemi vendosur të shkonim në Elbasan për të mbaruar punën, vrasjen në fjalë. Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09:15, unë dhe Nuredini, ai me “BMW X5” dhe unë me automjetin Benz. Unë isha para BMW për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim. Nuredini ka futur në automjetin e tij dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për t’i hedhur benzit tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera para se të shkosh në Rrapëz. Kam hedhur 30 mijë lekë naftë, ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit te një xhep rruge. pasi hodha naftën unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11:30 kam arritur në Elbasan. Unë vazhdoj për në qytet duke marrë unazën dhe jam kthyer te karburant “Feleqi”, ndërsa Nuredini me BMË-në e tij ka qëndruar te vendi ku rrinte zakonisht te kryqëzimi i Cerrikut.
Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin që do të vrisnim. Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi që do vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye kam futur makinën time për ta larë te një lavazho që është përballë me servis “Kadiun” dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birrë. Kam qëndruar te lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim me qëllim për të parë nëse personi ishte aty, por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka te lokali “Eurodriza” te Rotondo në hyrje të Elbasanit. Gjatë kësaj kohe unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do vrisnim, por kam fiksuar një benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo benz, por ai më tha që donte parë ai mjet. Unë e pashë mjetin, por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin. Duke parë këtë gjë mosgjetjen e personit që ne kërkonim unë jam ulur për të ngrënë bukë në një restorant siç thashë ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, hëngra mish qengji, piva pak raki dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri te lavazho. Qëndrova te lavazho dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin.
Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim te kryqëzimi Cerrikut. Në një moment Nuredini më pyeti me sms duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur sms ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur. Unë nuk kam arritur ta pyes se çfarë ndodhi, por kam ecur drejt tij. Kam konstatuar mjetin e tij të dëmtuar anash rrugës në krahun e majtë timin me drejtim Elbasan-Peqin, anash një restoranti. Ndalova te mjeti duke marrë kthesën dhe kam shkuar direkt paralel me mjetin e tij. Aty kam parë se mjeti i kishte gomat dhe disqet e dëmtuara, pashë shishen e benzinës së hapur dhe kam spërkatur pak me të me qëllim djegien e mjetit, por nuk kam mundur ta ndez. Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin të ulur te sedilja e parë e pasagjerit të mjetit me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi, por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz.
g.kosovari