Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë të ditur se të gjitha mostrat e marra në lidhje me dyshimin e helmimit ushqimor të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë në Sauk, kanë rezultuar brenda normave.
Përmes një njoftimi zyrtar, AKU shpjegon se më datë 25 qershor 2026 ka kampionuar 14 mostra ushqimore nga vakti i drekës dhe darkës, si dhe 5 mostra tamponë higjienike ambientale dhe të pajisjeve, në adresën Garnizoni “Skënderbej” në Tiranë.
Sipas AKU-së, laboratori i Referencës ISUV ka analizuar në total 33 mostra për treguesit mikrobiologjikë dhe rezultatet finale kanë konfirmuar se të gjitha mostrat janë brenda kufijve të lejuar ligjorë.
“Në vijim të ndjekjes se problematikes në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, për të cilin ishte marrë masë me ndërprerje aktiviteti, subjekti Sori-al ka bërë analiza autokontrolli tampone ambjental të ambienteve, pajisjeve dhe punonjësve të cilat kane dalë konform kërkesave ligjore. AKU më 10.7.2026 pas njoftimit të subjektit për rezultatet e analizave të vetëkontrollit , ka kryer inspektim në adresën Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, gjatë së cilit ka marrë sërish 3 mostra tampon ambiental, të cilat u dërguan, për analizim pranë laboratorit të ISUV”, thuhet në njoftimin e AKU-së.
AKU thekson më tej se ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “Sori-Al” dhe OBU-së i lejohet të vijojë ushtrimin e aktivitetit të gatimit te ushqimeve në ambientet e kuzhinës që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skenderbej”.
“Me daljen e rezultatit të analizave konforme për kushtet e higjienës dhe të sigurisë ushqimore, për mostrat kontroll zyrtar të kampionuara me datë 25.06.2026 dhe të mostrave të marra me datë 10.07.2026 në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, AKU ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit ”Sori-Al” dhe OBU-së i lejohet të vijojë ushtrimin e aktivitetit të gatimit te ushqimeve në ambientet e kuzhinës që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skenderbej”, përfundon në njoftimin e saj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.











