Për 25 vite në Shqipëri janë investuar rreth 4 miliardë dollarë në ndërtimin e akseve rrugore. Kjo u bë e ditur nga Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto në Konferencën Ndërkombëtare të Rrugëve. Në fjalën e tij Haxhinasto tha se pavarësisht shumës së konsiderueshme të investuar në rrugë, nevojat janë sërish më të mëdha.
Sipas Haxhinasto, megjithatë ndër vite është diskriminuar mirëmbajtja e akseve rrugore. Për këtë qëllim, Haxhinasto tha se sot vendit i nevojiten edhe rreth 80 milionë euro të tjera vetëm në sektorin e mirëmbajtjes.
“Që nga rënia e sistemit komunist janë investuar 4 miliardë dollarë në rrugë, edhe pse nevojat janë shumë më të mëdha. Ne kemi sot mundësinë që çdo para e institucioneve financiare të trajtohet në mënyrën më të mirë, por duke përmirësuar të gjitha hallkat që na çojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Por sektori më i diskriminuar në këto vite ishte mirëmbajtja rrugore. Për këtë arsye nevojiten rreth 80 milionë euro të tjera investime me qëllim mirëmbajtjen e akseve rrugore.” tha Haxhinasto









