Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është rizgjedhur kryetar i kësaj partie pa kundërkandidat. Kundër rizgjedhjes së tij ishin vetëm tre delegatë, ndërsa 527 të tjerë ia besuan drejtim e partisë edhe për një mandat. Haradinaj u rizgjodh kryetar i AAK-së me votim të fshehtë.
Para votimit Haradinaj në fjalimin e tij drejtuar delegatëve ka thënë se duhet të punohet shumë për t’i dhënë vlerë sistemit politik e shoqëror në Kosovë.
Sipas gazetës “Zëri” ai ka thënë se duhet të punohet për zhvillim të vendit, duke e bërë kështu Kosovën, siç ka thënë ai, Evropë e Amerikë.
Ndërsa pas rizgjedhjes së tij në krye të partisë, Haradinaj ka thënë se do të angazhohet për ta ndryshuar Kosovën.
I pyetur nga gazetarët se a e bën më pak demokratike zgjedhjen e tij fakti që nuk kishte kundërkandidat, Haradinaj është përgjigjur me po, megjithatë ai ka thënë se në AAK është nxitur konkurrenca.