Kuvendi do të nisë të hënën në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, plotësimin me anëtarë të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Procedura bazohet te ligji i ri për hapjen e dosjeve.
Komisioni do të shqyrtojë 11 emra të cilët kanë aplikuar për anëtarë të këtij komisioni.
Vetëm 5 do jenë pjesë e Komisionit.
Në krye të listës është Daut Gumeni, ish-i burgosur politik, shkrimtar.
Pas tij vjen Drita Ferri Avdyli, e cila ka qenë punonjëse e Ministrisë së Brendshme tashmë në Dhomën Ndërkombëtare të Ndërmjetësuesve.
Kandidaturën e kanë paraqitur edhe Durim Grabova, ish-punonjës te Metrologjia, Petrit Karabina ish-zv.minsitër i Mbrojtjes në qeverinë Berisha, Selami Zalli jurist, Gjon Fierza, në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Haqif Hysni Gjana, Simon Mirakaj ish-kreu i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Marenglen Kasmi ushtarak, Gentiana Sula zv.ministre e Mirëqenies dhe Rinisë, e cila ka qenë kontribuese në hartimin dhe miratimin e këtij ligji si dhe Ermira Shtino, Drejtoresha e politikave për ish të përndjekurit në Ministrinë e Mirëqenies sociale e Rinisë – raporton Shqiptarja.Com
Më poshtë një intervistë e z.Gumeni për DITA, lidhur me ligjin.
Zoti Gumeni, a e mbështesni hapjen e dosjeve në Shqipëri dhe a është ky një proces i vonuar transparence?
Miratimi i një ligji që merret me transparencën e të shkuarës, është patjetër një hap i duhur e në drejtimin e duhur, edhe pse tepër i vonuar, si të gjitha veprimet e mbara në qeveritë shqiptare të tranzicionit tonë të pasosur.
Të pasosur sepse është ndaluar të mbyllet edhe për arsye të frikës së mjaft personazheve të jetës sonë politike nga e shkuara e vet.
Do të mund të thuhet se më në fund edhe Shqipëria e hodhi hapin e parë për të dalë nga tranzicioni ynë i gjatë e i mundimshëm. Mjaft pësuan shqiptarët nga diktatura e dajakut që të mbeten kaq gjatë edhe nën diktaturën e dosjeve të së shkuarës së errët.
Cili është mendimi juaj për ligjin “sipas modelit gjerman”?
Doemos që nuk është më i miri, por ndoshta është më i mundshmi në këtë gjendje ku ndodhet shoqëria jonë e traumatizuar aq rëndë nga vitet e errëta e të gjata të diktaturës komuniste.
Një traumatizim që vjen edhe si pasojë e frikës nga e shkuara e mjaft zullumqarëve të dalë mbi ujë në vitet e tranzicionit tonë të ndaluar të mbarojë, edhe për shkak të kësaj frike.
Një frikë nga e vërteta, që mpak shëndetin, shoqëron dhe e zvarrit vendin në lektisjen e shkaktuar nga makthi i hapjes së dosjeve të zullumeve. Një mungesë e gjatë e ballafaqimit me të vërtetën, që mund të përqaset me fshehjen në tryezën e bukës të teshave të palara të shtëpisë.
Transparenca e domosdoshme që mund të sjellë zbatimi rigoroz i këtij ligji, mund të shërbejë si një medikament qetësues jo vetëm për viktimat e dosjeve të Sigurimit , por edhe për përpiluesit dhe mbushësit e atyre dosjeve të nëmura.
Mbase një transparencë e tillë, edhe pse me shumë vonesë, do të ndihmonte vendin të shpëtonte nga sundimi i antivlerave dhe harrimi i vlerave të mirëfillta, që shpien përpara çdo shoqëri normale.
A kemi nevojë ne si shoqëri për këtë hapje dosjesh kaq vonë? A do të na bënte kjo një shoqëri më të mirë?
Njohja publike e të vërtetës, sado e hidhur qoftë ajo, do të ndihmojë të përndjekur e përndjekës bashkë të shohin përpara me më pak vrug në faqe e me ballë më të hapur ndaj së vërtetës shëruese për mbarë shoqërinë.
Sepse makthi i atyre dosjeve të nëmura ka bërë lëmsh vlerat me antivlerat deri në ato përmasa gjatë këtij tranzicioni, sa spiunët e djeshëm të Sigurimit bërtasin kundër spiunëve dhe kuadrot e qilarëve të torturave të diktaturës kanë zënë kryet e vendit e të kuvendit.
Janë ngatërruar aq keq e mira me të keqen në këtë trazicionin tonë ‘sui genris’, sa përndjekësit e djeshëm na kanë dalë baballarët e demokracisë dhe të përndjekurit e mirëfilltë të ndërgjegjes, ata që dhanë për demokracinë jetën dhe gjithçka patën të shtrenjtë, kanë mbetur pa gojë se u vjen rëndë ta përziejnë zërin e tyre me rropamën e përndjekësve të trimëruar nga mbyllja e gjatë e dosjeve të zullumeve. / Dita /