Parlamenti i Groenlandës ka ratifikuar të martën marrëveshjen e sigurisë për ishullin arktik, të arritur në fillim të këtij viti me presidentin amerikan Donald Trump. Megjithatë, disa deputetë të opozitës kanë ngritur pikëpyetje për përfitimet ekonomike që mund të sjellë kjo marrëveshje për Groenlandën.
Marrëveshja u nënshkrua në shtator nga Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda, me synimin për t’i dhënë fund tensioneve të krijuara pas kërcënimeve të përsëritura të Trump për të marrë kontrollin e ishullit, i cili ka një rëndësi të madhe strategjike dhe pasuri të konsiderueshme minerare. Groenlanda është një territor vetëqeverisës, por pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Marrëveshja parashikon zgjerimin e rolit të ushtrisë amerikane në ishull, duke hapur rrugën për ndërtimin e dy bazave të reja ushtarake dhe vendosjen e sistemit të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, të propozuar nga Trump. Në të njëjtën kohë, ajo riafirmon sovranitetin e Danimarkës mbi Groenlandën dhe të drejtën e banorëve të ishullit për vetëvendosje.
Në votimin e së martës, 16 deputetë votuan pro marrëveshjes, asnjë kundër, ndërsa shtatë abstenuan. Shumica e ligjvënësve kishin shprehur mbështetjen për të edhe gjatë debatit të parë, muajin e kaluar.
Në janar, Shtëpia e Bardhë kishte bërë të ditur se Trump po shqyrtonte disa mundësi për marrjen e Groenlandës, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake. Deklaratat shkaktuan shqetësim në vendet europiane dhe nxitën përpjekje të shumta diplomatike për të ulur tensionet.
Ministri i Jashtëm i Groenlandës, Mute Egede, e cilësoi ratifikimin një hap të rëndësishëm për ishullin. Gjatë fjalës së tij në parlament, pak para votimit, ai theksoi se paqja dhe stabiliteti nuk mund të konsiderohen më të mirëqena.
Megjithatë, partia opozitare Naleraq, një nga zërat më të rëndësishëm politikë në mbështetje të pavarësisë së Groenlandës, kundërshtoi përfitimet ekonomike të marrëveshjes. Kreu i saj, Pele Broberg, deklaroi se ishulli duhet të kërkojë një marrëveshje më të favorshme, e cila do t’i sillte përfitime edhe në rast se në të ardhmen bëhet shtet i pavarur. Sipas tij, deri tani nuk është siguruar asnjë përfitim ekonomik nga marrëveshja.
Ndërkohë, marrëveshja pritet të shqyrtohet edhe nga Parlamenti danez, ku leximi i parë është planifikuar për 11 nëntor, ndërsa leximi i dytë dhe votimi përfundimtar do të zhvillohen më 19 nëntor.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga Danimarka dhe Groenlanda. Për miratimin e saj nuk nevojitet vota e Senatit amerikan.











