I kthyer tashmë në një traditë, u çel në ambientet e Pallatit të Kongreseve edicioni i IX i Panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
Në këtë panair marrin pjesë mbi 60 kompani dhe universitete e institucione të ndryshme, të cilat ofrojnë mbi 3000 vende të lira pune.
Në hapjen e panairit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi atë si një mundësi shumë e mirë për të bërë të mundur komunikimin mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, posaçërisht në sektorin privat. Veliaj theksoi se Tirana gjeneron më shumë se gjysmën e ekonomisë së vendit. “Jam i lumtur që kjo ndodh në Tiranë. Kryeqyteti në fakt gjeneron rreth gjysmën e GDP-së të gjithë së Shqipërisë. Unë jam entuziast për faktin që Tirana jo vetëm gjeneron gjysmën e ekonomisë, por është përgjegjëse për gjysmën gjithashtu të punësimit në Republikën e Shqipërisë. Teksa Tirana bëhet shtëpia jonë e madhe është shumë e rëndësishme të kuptojmë që ky është qyteti më kompetitiv”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se kryeqyteti shihet edhe si një vend ku shumë prej të rinjve që vijnë nga rrethet për të studiuar, vendosin të ndërtojnë të ardhmen e tyre. “9 nga 10 studentë që vinë për të studiuar në Tiranë do të jetojnë në Tiranë, edhe pas universitetit. Tirana ka nevojë për 6-7 mijë apartamente në Tiranë. Vetëm kjo industri e njerëzve që i shtohen çdo vit Tiranës, që është diku midis 27 dhe 30 mijë banorëve në vetvete gjeneron punësim. Unë e kuptoj secili prej nesh do të donte të kishte një bahçe të bukur përpara shtëpisë, kjo nuk është e mundur në një qytet të madh. Kjo është arsyeja pse shumica prej nesh ka vendosur të jetojë në Tiranë sepse duam të jemi aty ku janë edhe të tjerët, ama duhet të kuptojmë që në vetvete kjo industri, vetëm zhvillimi i industrisë së ndërtimit në Tiranë ka punësuar 10 mijë veta”, tha ai.
Duke listuar disa prej potencialeve të qytetit të Tiranës, kreu i Bashkisë përmendi dhe përzgjedhjen e kryeqytetit shqiptar si një nga tre qytetet bashkë me Parisin dhe Tel Avivin ku do të zbatohet projekti inovativ TUMA. “Dje morëm një vendim tjetër të ri që ndërtesën ikonike që është këtu pranë Pallatit të Kongreseve që është Piramida e Tiranës, ta kthejmë në qendrën më të madhe të teknologjisë të informacionit në rajonin tonë me kapacitet 5 mijë nxënës e të rinj që hyjnë e dalin çdo ditë për të marrë kurse të IT. Sot kemi profesione që kur unë isha fëmijë nuk ekzistonin. Kështu që ideja e kthimit të Piramidës në një vend që pompon brenda dhe jashtë 5 mijë të rinj në ditë, pra le të themi nju lloj Pallati i Pionierëve, por tani i teknologjisë të informacionit në kohët moderne, besoj që është realisht diçka që ka nevojë tregu i punës. Një nga gjërat që ne kemi nënvlerësuar dhe për herë të parë e kemi marrë seriozisht në Bashkinë e Tiranës është ekonomia e natës, ekonomia e argëtimit, ekonomia e një qyteti që jeton 24 orë”, u shpreh Veliaj.
Veliaj deklaroi se ka marrë fund njëherë e mirë punësimi mbi bazën e lidhjeve politike dhe se tashmë gjithçka është e bazuar tek merita. “Koha ku ishte partia agjencia kryesore e punës ka marrë fund, të paktën në Bashki të Tiranës këtë jua jap me garanci. Do të thotë shumë e më shumë ente publike po bëhen predatorë për të rekrutuar nga entet private. Sigurisht ka të bëjë dhe me motivimin, rrogat në shtet nuk janë edhe aq të larta por njerëzit nuk punojnë vetëm për rrogën. Punojnë edhe për sens misioni jo vetëm për sens rroge. Ndaj për të gjitha këto arsye nëse jeni student sot unë e di që me gjasë kjo do të jetë shtëpia juaj e re, pavarësisht nga çfarë do lloj qyteti vini”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri thirrje kryesisht të rinjve që t’i kushtohen më shumë arsimimit dhe marrjes së profesioneve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ti përgjigjen kërkesës së tregut të punës dhe të kohës që po kalojmë. “Në këtë moment ky është një sprint për të qenë realisht më të mirët dhe ju garantojë që gjithmonë e më shumë si privati si publiku nuk po pyet më i kujt je dhe nga vjen por çfarë di të bësh. Dhe arsyeja pse ua them këtë është se sot dija është e vetmja gjë që nuk ta merr njeri. Dijen që ke në kokë nuk ta merr dot asnjë njeri. Kombet që ecin përpara nuk janë kombet që kanë por janë kombet që dinë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka vlerësoi Bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, ndërsa deklaroi se ky panairit mundëson që në një çati të dialogojnë bashkërisht biznesi, akademia, studentët dhe qytetari. “Krijohet një mundësi konkrete për kompanitë ekspozuese ne këtë panair që të njihen më mirë me ofertën e tregut të punës. Punëkërkuesi, punonjësi apo çdo individ i lirë është një tjetër fokus i panairit Work&Study, duke ofruar një mundësi për t’u përballur me tregun e punës, për te prezantuar veten nëpërmjet intervistave pranë këtyre kompanive. Ju uroj suksese, pasi kemi nevojë më shumë se kurrë për një treg kompakt dhe për burime njerëzore profesionale”, theksoi Jaka.
a.ç