Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka një kandidat për president. Kështu u shpreh kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, para nisjes së mbledhjes së kryesisë së partisë që ai drejton, pak orë para përfundimit të afatit për negociatat mes partive për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Ne kemi kërkuar paraprakisht të dakordohemi që presidenti të zgjidhet i propozuar nga PDK, një emër i dinjitetshëm, që nuk do të thotë domosdoshmërisht një emër brenda strukturave të PDK-së, por mund të jetë edhe jashtë tyre, për sa kohë i ka atributet dhe kualitetet që duhet t’i ketë një president”, tha Hamza.
Ai theksoi se aktualisht nuk ka një emër konkret.
“Nuk kemi kandidat. Të gjitha janë spekulime. PDK nuk ka kandidat për president pa marrëveshje paraprake”, deklaroi ai.
Ndërkohë, kryeministri dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkoi sot në Kuvend për të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar. Në media është përmendur edhe emri i Andin Hoti si një kandidat i mundshëm nga radhët e kësaj force politike për postin e presidentit.
I pyetur për këtë kandidaturë, Kurti u shpreh se është në pritje të diskutimeve dhe vendimeve që do të dalin nga mbledhja.
Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, deklaroi për mediat se nëse partia e tij qëndron në sallë gjatë votimit për presidentin, mund ta votojë Andin Hotin
Sipas Kushtetutës së Kosovës, pasardhësi i presidentes Vjosa Osmani duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj, që mbaron më 4 prill.
Për zgjedhjen e presidentit mbahen tre raunde votimi në Kuvend. Në dy raundet e para, kandidatja ose kandidati duhet të sigurojë shumicë të cilësuar prej dy të tretash, përkatësisht 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi. Në raundin e tretë nevojiten 61 vota.
Që procesi të jetë i vlefshëm, në të tre raundet në sallë duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë. Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.











