Kandidati i PD për Tiranën është shfaqur sot me disa deputetë të PD në krah, në një takim me biznesin e vogël tek ish-Uzina Dinamo. Përtej asaj që ai ka premtuar, e që nuk ndryshon shumë nga ato që ka thënë edhe në takime të tjera, Kosova është shfaqur përballë të ftuarve në prani të disa deputetëve si Genc Ruli, Myqerem Tafaj dhe Jorida Tabaku.
Halim Kosova është kritikuar në mënyrë të përsëritur nga kandidati i majtë Erion Veliaj, se po bën një fushatë të vetmuar, pa përkrahjen reale të partisë që e ka kandiduar. Në fakt, më shumë sesa një shkujdesje apo braktisje ndaj Kosovës, ky duket një truk taktik, për të evituar nga fushata e Halim Kosovës si kryebashkiakun Basha, ashtu edhe ish-liderin e partisë Berisha. Me të dy në krah, është e sigurt se Kosova më shumë do të humbiste, sesa do të fitonte.









