“Të mbyllim hundët e të votojmë Demokracinë Kristiane”, thoshte dikur i madhi Indro Montaneli, kur e pyesnin se cili do të votonte në zgjedhjet më të afërta. Gazetari i madh shprehej kështu, për shkak të qëndrimit të tij të njohur antikomunist, që e shtynte të rreshtohej me të djathtën e korruptuar të Andreotit, Forlanit e De Mitës. Në horizont qëndronte e majta e fortë italiane, që në epokën e Luftës së Ftohtë shihej nga Montaneli si e keqja e madhe.
Nëse e transplantojmë thënien e gazetarit të madh italian në kontekstin shqiptar, duke i hequr thelbin ideologjik, “mbyllja e hundëve” mund t’i shkojë shumë mirë një ambjenti urban, kudo qoftë ai. Fjala vjen, profesor Artan Fuga e ka quajtur Tiranën “një hale”. Një epitet i fortë, fyes në pamje të parë, por njëherësh i vërtetë dhe acid. Ashtu siç është në fakt realiteti që kalon kryeqytetit i Shqipërisë. Pa i dhënë termit të Fugës ngarkesën ideologjike të Montanelit, duhet të pranojmë se në fund të një tranzicioni prej dy dekadash e gjysëm, projekti i Tiranës së mijëvjeçarit të ri, ka përfunduar në një bllof të madh sa vetë qyteti. Kush mendonte se Tirana e viteve 2000 do të ishte një metropol, një qendër që do të rrezatonte kulturë dhe civilizim, një nyje e madhe ekonomike, financiare dhe infrastrukturore, është thyer hundën në betonin e lagjeve tiranasave, megjithë parashikimet e tij rozë.
Tirana është sot qyteti pa një stacion treni, me ndërtime skandaloze që shtohen e shtohen, bashkë me mijërat e apartamenteve që mbeten pa shitur prej vitesh. Kush rreket të gjejë një logjikë tregu në këtë që po ndodh, më mirë të ndërrojë temën e bisedës, sepse në këtë qytet ecet me muskuj, jo me tru. Tirana është praktikisht pa Akademi Shkencash, me një Bibliotekë Kombëtare të cilën e kanë ngjeshur në një cep privatët, pa tregje të strukturuara shumice, pa cirkun e saj, pa Kinostudion që u kthye në zyra për mediat private, pa një nënkalim apo mbikalim të vetëm në të gjithë rrjetin rrugor, pa parkingje nëntokësore që do të lehtësonin sadopak trafikun e tmerrshëm të makinave që djegin naftë të trukuar qysh në doganë.
Fuga ka përdorur një shprehje që ndoshta shumëkush nuk do ta përdorte. Për sqimë, për vetëpërmbajtje, jo për tepri apo dalje nga realiteti. Qyteti që udhëheq sot vendin më shembullin e tij, është i sëmurë rëndë. E kotë t’i biesh tam-tameve të fushatës, e kotë gjithashtu të thuash se kush e ka fajin, në një klimë ku të gjithë kërkojnë fajtorin.