Sali Berisha ka njerëz brenda SPAK-ut dhe BKH-së që i japin informacione sekrete dhe më pas ai del i lexon në media dhe i bën publike, kur ato janë sekret.
Edhe rasti i harkimit të fundit të prokurorëve të SPAK lidhet direkt me këtë dyshim, pasi zyrtarë dhe ish-zyrtarë hynë në e-mailet e tre prokurorëve dhe madje tentuan të vidhnin edhe të dhëna nga posta elektronike e kreut të institucionit, Altin Dumani dhe serverëve.
Kështu u shpreh avokati Idajet Beqiri sot në ‘Studio Live’, duke e lidhur edhe me një rast konkret si tangente me dyshimin e ngritur se pas ngjarjes mund të qëndrojnë edhe njerëzit e ish-kryeministrit. Beqiri tha se edhe një denoncim që ai i kishte dërguar SPAK-ut dhe Dumanit kohë më parë, u rrodh nga brenda institucionit direkt te Berisha dhe ky i fundit e lexoi në publik, duke përmendur edhe detaje që i dinin vetëm përfaqësuesit e akuzës.
Edhe avokati Edmond Petraj, i ftuar në panel, e cilësoi ngjarjen si tepër të rëndë, duke e nënvizuar faktin se pikërisht Berisha ishte personi që lexoi informacione sekrete që ishin vjedhur nga SPAK, në ngjarjen që u mbajt e fshehtë. Bëhet fjalë për detajet e dosjes “Toyota Yaris”.
“E konsideroj guxim dhe çmenduri këtë akt, të arrish të futesh deri aty, te ‘foleja e grerëzave’, te Prokuroria Speciale që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin shtetëror, si mund të arrijë të hakerojë e-mailet e tyre për të marrë informacione nga zyrtarët. E para sa siguri kanë mjetet e prokurorëve dhe SPAK për mbrojtjen kibernetike, pasi flitet për karakter tepër sekret të hetimeve, që lidhen edhe me sigurinë kombëtare, si mund të lejohen pa mbrojtje të fortë kibernetike, teksa u ndërhyjnë dhe futen në zyrat e tyre, kompjuterat, e-mailet dhe rrjetin e tyre. Kjo kërkon reagim të fortë të institucioneve. Duhej dhënë alarm dhe Komisioni i Ligjeve të mblidhej urgjent për këtë ngjarje, është skandal i madh. Kuvendi duhet të alarmohej. SPAK të bëjë transparencë për ngjarjen”, tha Beqiri.
Më tej ai ngriti edhe dyshimet e bazuara të tij, se brenda SPAK-GJKKO ka njerëz që bashkëpunojnë me persona të politikës, në këtë rast Berishën dhe politikanët rreth tij, si Belind Këlliçi.
“Te hetuesit e BKH-së ka elementë që bashkëpunojnë me persona jashtë, japin informacione për të tjerët. Kujtoj rastin Berisha që përmendi emri im tek Altin Dumani, duke thënë se jam anëtar i tij, pasi lexoi informacionin se kreu i SPAK kishte një letër të dërguar nga ana ime për Belind Këlliçin, në lidhje me bisedat e tij me drejtoreshën e shkollës. Nga i dinte Berisha këto? Si i gjeti këto informacione, kur e dija vetëm unë që e çova dhe prokurori i çështjes? Pra ka probleme të brendshme atje, ka informacione që rrjedhin nga brenda. Berishës ia dhanë nga brenda SPAK kallëzimin tim. Pra më parë i merr vesh Belo gajdexhiu, para se ta marri vesh Dumani, në rastet kur ky nuk është aty në institucion. Pra Belindi informohet herë pas here më parë se të tjerët, i merr vesh më parë ai kallëzimet sesa prokurorët. Madje unë mendoj se edhe Dumanit po ia punojnë aty në disa raste. Edhe për rastin e prokurores Kaçkini, më parë i merr vesh Këlliçi sesa ajo dhe Dumani. Puna është a do ketë një verifikim për këta prokurorë të SPAK apo agjentë”, denoncoi avokati në Report Tv.
Por jo vetëm kaq, pasi ai edhe për rastin e prokurorit Olsi Dado shprehu rezerva për mënyrën se si institucionet u treguan pasive dhe këtu shikon ndërhyrje të fuqishme të politikës. Ai shprehet i bindur se brenda SPAK dhe BKH ka ‘spiunë’.
“Ose fakti që aty është prokuror Olsi Dado, në kundërshtim me ligjin, nga noter në prokuror dhe këta nuk japin përgjigje për këtë rast, ku ish-presidenti mori vendim antiligjor dhe të pavlefshëm, tani veprojnë si struci dhe nuk reagojnë. Ka elementë në SPAK që dekonspirojnë informacionet. Të jeni të bindur se asgjë nuk ndodh aty pa pasur ndërhyrje nga brenda. Po të bëhet hetim, do dalin ose anëtarë të BKH-së dhe prokurorë të caktuar, që janë bërë pis. Por ka edhe raste kur janë blerë informacione nga BKH-ja”, nënvizon Beqiri.