Grupet e hakerëve të lidhur me Rusinë po bashkëpunojnë për të intensifikuar sulmet kibernetike ndaj vendeve europiane. Sipas të dhënave të inteligjencës europiane, grupet “Noname057(16)” dhe “Everest” kanë bashkuar forcat, duke synuar jo vetëm faqet e institucioneve dhe kompanive, por edhe infrastrukturën kritike, si rrjetet elektrike dhe ato të furnizimit me ujë.
Kjo aleancë shënon një ndryshim në mënyrën e veprimit të tyre. Deri tani, grupi “Noname057(16)” ishte i njohur kryesisht për sulmet që bllokonin përkohësisht faqet e internetit të ministrive dhe kompanive, duke i mbingarkuar ato me miliona kërkesa hyrjeje. Për këtë qëllim, hakerët përdorin kompjuterë të infektuar, të njohur si “PC zombie”, të cilët kontrollohen nga distanca pa dijeninë e pronarëve të tyre.
Ndërsa grupi “Everest”, i krijuar në vitin 2020, njihet për sulmet me programe ransomware, përmes të cilave depërton në sistemet e kompanive, vjedh dhe bllokon të dhënat e tyre, për të kërkuar më pas para në këmbim të rikthimit të aksesit. Në Itali, ky grup u shfaq për herë të parë në vitin 2021, kur kreu një sulm ndaj Shoqatës Italiane të Autorëve dhe Botuesve (SIAE).
Sipas raportimeve, dy grupet po bashkëpunojnë në kuadër të një strategjie më të gjerë të luftës hibride dhe kibernetike kundër Europës. “Everest” dyshohet se qëndron pas sulmit ndaj tunelit të Brennerit, më 17 tetor. Në korrik, grupi kishte shënjestruar edhe kompaninë zvicerane të trenave “Stadler Rail”, duke kërkuar një shpërblim prej 10 milionë frangash zvicerane. Në vitin 2025, ai mori gjithashtu përgjegjësinë për një sulm ndaj operatorit të rrjetit elektrik të Suedisë, Svenska Kraftnät.
Nga ana tjetër, grupi “Noname057(16)” ka kryer më shumë se 350 sulme kibernetike në Itali. Së fundmi, ai ka marrë përgjegjësinë për një sulm ndaj sektorit të shpërndarjes ushqimore në disa vende europiane, ku pretendohet se janë manipuluar nga distanca qindra pajisje frigoriferike në supermarkete. Si pasojë, janë dëmtuar produkte ushqimore me vlerë dhjetëra milionë euro.
Ndryshe nga sulmet e mëparshme të këtij grupi, të cilat shkaktonin kryesisht ndërprerje të përkohshme të shërbimeve online, ky sulm dyshohet se ka sjellë dëme të drejtpërdrejta materiale. Hakerët kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen, duke u mburrur me aftësinë e tyre për të goditur sistemet digjitale perëndimore.
“Edhe një herë kemi treguar nivelin e vërtetë të përgatitjes digjitale të Perëndimit. Ndiqni veprimet tona në skenën globale”, thuhet në mesazhin e publikuar nga grupi.
Sipas informacioneve të publikuara, objektivat e radhës mund të jenë rrjetet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike. Ky ndryshim në strategji shihet si një përshkallëzim i aktivitetit të grupit, i cili është aktiv që prej marsit 2022 dhe ka krijuar një rrjet bashkëpunëtorësh përmes platformës “DDosia”, duke shpërblyer personat që marrin pjesë në sulme.
“Noname057(16)” ka qenë më herët në qendër të vëmendjes edhe për kërcënimet ndaj presidentit italian Sergio Mattarella. Në tetor, në faqen e tij në dark web, grupi publikoi emrat e hetuesve italianë dhe gjermanë që morën pjesë në operacionin “Eastwood”, i cili goditi aktivitetin e tij. Në listë ishte edhe emri i ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani. Hakerët ofruan shpërblime për këdo që mund të siguronte informacione personale për personat e përfshirë në operacion.
Përveç “Noname057(16)” dhe “Everest”, në këtë aktivitet është përfshirë edhe një grup tjetër, i njohur si “Z-Pentest”, më parë i quajtur “Cyber Army of Russia Reborn”. Autoritetet amerikane dyshojnë se ky grup ka lidhje me Qendrën për Teknologji Speciale të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU.
Sipas hetuesve amerikanë, “Z-Pentest” ka kryer sulme ndaj infrastrukturës kritike në SHBA që nga fundi i vitit 2023. Mes objektivave të tij kanë qenë kompani të furnizimit me ujë në shtetet Indiana, New Jersey dhe Texas. Grupi dyshohet gjithashtu se qëndron pas një sulmi në një fabrikë në Los Anxhelos, ku rrjedhja e amoniakut shkaktoi dëmtimin e sasive të mëdha të mishit.
Për identifikimin dhe lokalizimin e personave që qëndrojnë pas këtyre sulmeve, autoritetet amerikane kanë ofruar shpërblim deri në 2 milionë dollarë. Programi amerikan “Reward for Justice” kërkon informacione për personat që, me udhëzimet ose nën kontrollin e një qeverie të huaj, kryejnë sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike të SHBA-ve.
Në njoftimin amerikan përmenden emrat e Yuliya Pankratova dhe Denis Degtyarenko, si dhe një person i njohur me pseudonimin “Cyber_1ce_Killer”. Ndërkohë, autoritetet ruse kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen e Moskës në sulmet kibernetike ndaj vendeve perëndimore.










