Prej gjashtë sezonesh, Tibo Kurtua është pjesë e Realit të Madridit, duke qenë një nga shtyllat e ekipit të bardhë. Belgu iu bashkua “Los Blancos” nga Çelsi, teksa më parë kishte luajtur te Atletiko e Madridit.
Rikthimi i tij në Spanjë, por te rivalët e qytetit, Reali i Madridit nuk i pëlqeu shumë atyre të Atletikos dhe tashmë, Kurtua është një ish, që shihet si tradhtar në radhët e tifozëve “colchoneros”. Dhge në fakt, Kurtua është kthyer në një hajmali për Realin e Madridit në derbi, sepse belgu nuk e di se çfarë do të thotë humbje sa herë që ai është në portën e Realit.
Në katër raste që Kurtua nuk ka qenë në portën e Realit, “Los Blancos” janë mundur nga Atletiko. Rasti më i fundit janë dy ndeshjet derbi në sezonin e kaluar. Ato ndaj Atletikos, një në La Liga dhe tjetri në Kupën e Mbretit janë humbjet e vetme të Realit në sezonin 2023-2024. Dhe në të dyja rastet, Kurtua nuk ka qenë në portë, pasi ai u dëmtua në nisjen e sezonit për tu kthyer vetëm në maj. Të dielën ai do të jetë në portë, Reali e ka një garanci.