Kryetari i Këshillit Administrativ i ISSH-së, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, propozoi të enjten zotin Astrit Hado si kreun e institucionit që menaxhon sistemin e sigurimeve shoqërore, propozim që u miratua me unanimitet nga të gjithë anëtarët e Këshillit Administrativ.
Hado ka qenë zv/drejtor prej nëntë vitesh në këtë institucion dhe zëvendëson në këtë detyrë ish- drejtoreshën Vjollca Braho, që u zgjodh në fund të dhjetorit 2015 si kreu i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Hado është diplomuar në Ekonomi dhe ka kryer “Master në Administrim Publik” në Universitetin e Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës dhe është në proçes doktorature për “Menaxhimin e Sigurimeve Shoqërore” në Universitetin e Tiranës.
Hado është një nga hartuesit e reformës së pensioneve që nisi aplikimin më 1 janar 2015, reformë e cilësuar e suksesshme edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Gjatë kohës si zv/drejtor i Përgjithshëm, Hado ka qenë pjesë e grupit negociator për arritjen e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes shoqërore.