Pjesëmarrës në konferencë ishin guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore, zyrtarë të lartë nga institucionet financiare vendase dhe ndërkombëtare, si dhe politikëbërës të ndryshëm.
Punimet e kësaj konference u çelën me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, z. Dimitar Bogov, i cili pasi falënderoi të pranishmit, prezantoi programin e konferencës, duke theksuar se qëllimi i këtij aktiviteti ishte shkëmbimi i mendimeve dhe eksperiencave me kolegët e vendeve të ndryshme.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko ishte i ftuar në panelin e guvernatorëve, me temë “Drejt një cikli të ri global dhe normalizimit të politikës monetare”. Në këtë panel merrnin pjesë për të dhënë kontributin e tyre edhe Guvernatori i Bankës Kombëtare të Belgjikës, z. Jan Smets, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, z. Dimitar Bogov, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Kroacisë, z. Boris Vujčić dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Fehmi Mehmeti.
Diskutimet e këtij paneli u fokusuan në sfidat me të cilat përballen bankat qendrore një dekadë pas krizës dhe zhvillimet ekonomike të vendeve; rolin e bankave qendrore në rritjen ekonomike nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit financiar; politikat monetare dhe masat e ndryshme të aplikuara në këtë drejtim.
Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike shqiptare duke u ndalur te zhvillimet ekonomiko-financiare dhe ndikimet e mundshme të normalizimit të politikës monetare. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit. Ai shtoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ulur kostot e financimit të sektorit privat, ka nxitur rritjen e kreditimit në lekë dhe ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve.
Prioritetet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, vazhdimin e planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe forcimin e stabilitetit financiar.
Një tjetër çështje e trajtuar nga Guvernatori, ishte dhe rëndësia e kombinimit të duhur të politikave makroekonomike ku një rol kyç luan koordinimi i politikës monetare me atë fiskale.
Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të përmirësuar modelin e zhvillimit të vendit dhe ambientin e biznesit, si dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit.
Në përfundim, Guvernatori Sejko u shpreh se e ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se bashkëpunimi dhe kuadri institucional kanë rol kontribues në procesin e konvergjencës, megjithatë bankat qendrore, si politikëbërës, duhet të marrin masat e nevojshme për përgatitjen e ekonomisë për procesin e anëtarësimit./monitor/ma.me










