Nga Fatos Çoçoli
Në këto ditë dramatike të 13–17 tetorit 2026, ku dasitë e simpative politike dhe partiake mes nesh thellohen dhe agravohen akoma dhe më shumë, benzinë zjarrit po i hedhin opinionistët e shumtë që thirren nga shumica e televizioneve tek ne.
Vendi ynë sot, krahas akteve vandale, po përballet edhe me një debat të ashpër në opinionin publik, mbi kufijtë e protestës qytetare, përgjegjësinë politike dhe përdorimin e dhunës në hapësirat publike. Pamjet e sulmeve ndaj institucioneve, dëmtimeve të pronës dhe përplasjeve kanë vendosur përballë opinionit publik një pyetje themelore: kush mban përgjegjësi kur protesta humbet karakterin paqësor dhe kthehet në një mjet shkatërrimi?
Glorifikimi i gurit të hedhur dhe romantizimi i vandalizmit
Përgjegjësia e parë u takon atyre që kryejnë akte të dhunshme. Por debati nuk mund të përfundojë vetëm tek personat që hedhin gurë realë, djegin apo dëmtojnë prona publike dhe private. Ai duhet të përfshijë edhe ata që, nga studiot televizive, i interpretojnë këto veprime si shprehje të domosdoshme të revoltës, i paraqesin si shenja heroizmi rinor, ose i justifikojnë pa dallim, në emër të një kauze politike, duke nxitur më tepër dhunë.
Kur një komentues e quan dhunën revolucion, vandalizmin revoltë dhe shkatërrimin e pronës trimëri, ai nuk po bën thjesht një analizë politike. Po ndihmon në krijimin e një klime, ku kufiri midis protestës dhe agresionit bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Kjo nuk do të thotë se çdo opinion kritik ndaj qeverisë është nxitje e dhunës. As se mediat duhet të heshtin përballë problemeve politike. Përkundrazi, televizioni ka detyrimin të ekspozojë abuzimet, të hetojë përgjegjësitë dhe t’u japë zë qytetarëve. Por pikërisht, për shkak të ndikimit të tij, ai duhet të dallojë qartë analizën e shkaqeve të revoltës nga justifikimi i akteve të dhunshme.
Kritika ndaj pushtetit është e drejtë demokratike. Justifikimi i dhunës nuk është kusht për ta ushtruar këtë të drejtë. Duhet t’u thuhet Ndal! atyre që i quajnë të rinjtë “gavroshë të revolucionit”, për të romantizuar vandalizmin
Në diskursin politik dhe mediatik, figura e të riut rebel shpesh paraqitet si simbol i guximit, i sfidës ndaj autoritetit dhe i ndryshimit historik. Ky simbol ka një domethënie pozitive, kur lidhet me kërkesën për liri, drejtësi, arsim më cilësor dhe institucione të përgjegjshme. Mirëpo, kur kjo figurë përdoret për të justifikuar sulmet ndaj institucioneve, djegien e mjediseve të tyre, thyerjen e vitrinave apo shkatërrimin e bizneseve private, romantizimi i revoltës shndërrohet në një problem serioz social që kemi si shoqëri.
Të rinjtë nuk kanë nevojë të shndërrohen në personazhe të një revolucioni të imagjinuar nga komentuesit televizivë. Ata kanë nevojë për arsim, punësim, perspektivë ekonomike, institucione që i dëgjojnë dhe hapësirë për të kundërshtuar padrejtësitë, pa u përdorur apo keqpërdorur nga të tjerët.
Të quash një të ri “gavrosh të revolucionit” rrezikon ta paraqisësh çdo akt dhune si heroizëm, duke krijuar një model të gabuar të angazhimit qytetar. Revolta nuk është automatikisht progresive. Edhe një kauzë e mbështetur në pakënaqësi reale dëmtohet nga sjellje që cënojnë të drejtat e të tjerëve.
Të rinjtë tanë duhet të inkurajohen të mendojnë në mënyrë kritike, të organizohen, të kërkojnë llogari dhe të protestojnë. Por nuk duhet t’u thuhet se, për të qenë të guximshëm dhe pjesëmarrës active në shoqëri, duhet të shkatërrojnë. Nuk duhet t’u thuhet se, për të qenë ndryshues radikalë, duhet të djegin, apo se, për të dëshmuar kundërshtimin ndaj pushtetit, duhet të sulmojnë pronën e qytetarëve.
Rinia nuk ka nevojë për glorifikimin e gurit. Ka nevojë për fuqinë e argumentit, organizimit dhe veprimit demokratik.
Televizionet tona nuk duhen shndërruar në tribuna të justifikimit të dhunës
Televizionet kanë një ndikim të veçantë në situata të tensionuara politike. Në çaste të tilla, publiku kërkon informacion, shpjegime dhe orientim. Shikuesit përpiqen të kuptojnë çfarë po ndodh, pse po ndodh dhe cilat mund të jenë pasojat.
Pikërisht në këto momente, fjalët e gazetarëve, analistëve, politikanëve dhe komentuesve marrin peshë të veçantë. Një debat televiziv mund të ndihmojë në uljen e tensioneve, duke sqaruar faktet, duke dalluar përgjegjësitë individuale dhe duke shpjeguar rrugët demokratike të zgjidhjes së konfliktit.
Mirëpo mund të ndodhë edhe e kundërta: një debat i ndërtuar mbi provokimin, glorifikimin e përplasjeve dhe relativizimin e dhunës, shton polarizimin dhe nxit imitimin e sjelljeve agresive. Për fat të keq, kjo po ndodh sot me shumicën e televizioneve tona.
Rreziku bëhet më i madh, kur pamjet e akteve të dhunshme transmetohen vazhdimisht, ndërsa komentet shoqëruese i paraqesin autorët si heronj dhe veprimet e tyre si një model që duhet ndjekur.

