Këtë të hënë, më 16 shkurt, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet për të diskutuar mbi nismën ligjore të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, për të zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencave mes ekzekutivit dhe gjykatave lidhur me vendimin për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Mbledhja e cila pritet të nisë rreth orës 09:00 të mëngjesit do të zhvillohet në praninë e mediave.
Ndërsa fliste si çdo të dielë në podcast-in e tij “FLASIM”, kryeministri Edi Rama duke u ndalur tek pezullimi nga detyra i zv.kryeministres Belinda Balluku nga Gjykata Kushtetuese, tha se të hënën në Kuvend grupi parlamentar socialist do të paraqiste propozimet për ndryshime ligjore.
“Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’i paraqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias.”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se pezullimi i një ministri për një masë sigurimi penal nuk mund të bllokojë funksionet e tjera të ekzekutivit dhe se pavarësia e gjyqësorit nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e ligjvënësit dhe ekzekutivit.
Ai u shpreh se gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet.
“Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori.”, shtoi ai.
Kujtojmë se Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me tunelin e Llogarasë, ndërsa më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.











