Milicitë e mbështetura nga Irani nuk duket se po tërhiqen megjithë sulmin ajror amerikan që mendohet se shkatërroi një depo të rëndësishme armatimesh në Sirinë lindore.
Pentagoni e përshëndeti të enjten si të suksesshëm sulmin ajror të bërë gjatë orëve të vona të së mërkurës nga dy avionë luftarakë F-15, që shkaktoi edhe shpërthime të njëpasnjëshme në depon e armatimit. Por, zyrtarët amerikanë gjithashtu pranuan se të paktën për momentin, nuk është arritur ngadalësimi i sulmeve nga milicitë e mbështetura nga Irani ndaj forcave amerikane që gjenden në rajon.
Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës të enjten se pas sulmit ajror amerikan, milicitë e mbështetura nga Irani bënë katër sulme me dronë dhe me raketa ndaj forcave dhe bazave amerikane – tre prej tyre ndodhën në Siri dhe një në Irak.
Njëri nga sulmet u bë të mërkurën vonë ndaj një objekti amerikan në zonën e sigurtë në Siri dhe plagosi tre ushtarakë.
Zyrtarët thanë se dy nga të plagosurit u diagnostikuan me lëndime traumatike të trurit, por se asnjë nga lëndimet nuk ishte serioz dhe se të tre u rikthyen në detyrë.
Zyrtarët thanë gjithashtu se asnjë nga sulmet me dronë dhe raketa nuk shkaktoi ndonjë dëm në infrastrukturën amerikane.
“Këto sulme kanë qenë përgjithësisht të pasuksesshme”, u tha gazetarëve të enjten zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.
“Fatmirësisht, asnjë nga ushtarakët tanë nuk është lënduar rëndë dhe as infrastruktura në bazat që janë vënë në objektiv; nuk kemi pësuar dëme të konsiderueshme”, shtoi ajo.
Bazat dhe objektet amerikane janë sulmuar të paktën 46 herë që kur milicitë e mbështetur nga Irani filluan të sulmojnë forcat amerikane në Irak dhe Siri muajin e kaluar, në shenjë mbështetjeje për Hamasin në luftën e tij kundër Izraelit.
Që nga 17 tetori, gjithsej 56 ushtarakë amerikanë janë plagosur, me 25 të diagnostikuar me goditje traumatike në tru si rezultat i shpërthimeve nga raketat apo dronët. Megjithatë, Pentagoni tha se të gjitha lëndimet ishin të lehta dhe se të gjithë ushtarakët e dëmtuar janë rikthyer në detyrë.
Zyrtarët e Pentagonit gjithashtu vënë në dukje se shumica e lëndimeve u shkaktuan përpara se Shtetet e Bashkuara të bënin sulmet e para vetëmbrojtëse më 26 tetor, ndaj dy depove të armëve në Siri të përdorura nga grupe të mbështetura nga Irani.
Sulmi i së mërkurës ishte ndaj një objekti më të madh të ruajtjes së armëve në provincën Deir el-Zour të Sirisë që i përkiste Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Zyrtarët amerikanë thonë se nga ky objekt ishin marrë nga disa nga grupet e lidhura me Iranin, raketat dhe materialet e tjera që u përdorën për të bërë sulmet ndaj forcave amerikane.
Zyrtarët e Pentagonit shprehën të enjten optimizmin se operacioni do të ketë efektin e synuar.
“E dimë se ka pasur shpërthime dytësore. Dimë se objekti është dëmtuar ndjeshëm,” tha zonja Singh. “Ndihemi të sigurt se arritëm të degradojmë aftësitë e tyre”.
“Nuk do të hezitojmë të marrim masa të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë dhe për ta bërë këtë në një kohë dhe vend që e zgjedhim ne”, shtoi ajo.
Pentagoni gjithashtu konfirmoi zyrtarisht të enjten se rebelët houthi të mbështetur nga Irani në Jemen arritën të rrëzojnë një dron amerikan që fluturonte mbi Detin e Kuq.
Zonja Singh u tha gazetarëve se kishte indikacione se droni amerikan MQ-9 ra në ujë dhe se huthitë u përpoqën ta merrnin përpara se të fundosej.
“E dimë se ka pasur një përpjekje nga huthitë për ta marrë dronin MQ-9, por nuk ka gjasa që të arrijnë të marrin ndonjë gjë të rëndësishme”, tha ajo. “As ne [SHBA] nuk po përpiqemi ta marrim”.
Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë forcuar praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar në rajon dy grupe luftarake me aeroplanmbajtëse, dhjetëra avionë luftarakë dhe një nëndetëse me raketa balistike, për të dekurajuar një zgjerim të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit nga Irani dhe grupet që ky vend mbështet.
/a.d