Është identifikuar në Lombardi, Itali rasti i parë i infektimit të njeriut nga gripi i shpendëve në Evropë. Rajoni ka identifikuar një rast infeksioni me virusin e gripit A(H9N2) me origjinë shtazore, që zakonisht shkakton simptoma të lehta.
Pacienti është përshkruar si një person delikat, me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, i ardhur nga një vend jashtë Evropës, ku besohet se ka kontraktuar infeksionin. Aktualisht ai ndodhet në spital, njoftoi ministria e Shëndetësisë së Italisë.
Ekspertët shpjegojnë se gripi i shpendëve transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me shpendë të infektuar, veçanërisht pulat, ose përmes kontakteve me mjedise dhe materiale të kontaminuara.
Rastet njerëzore mund të jenë me patogjenitet të lartë apo të ulët sipas shkallës së sëmundjes.
Rasti i parë shkakton infeksion serioz sistemik me vdekshmëri të lartë, ndërsa i dyti shkakton simptoma të lehta ose aspak të frymëmarrjes, por mund të evoluojë në forma më agresive.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të gjitha verifikimet janë kryer menjëherë, kontaktet e pacientit janë identifikuar dhe situata po monitorohet vazhdimisht. Është aktivizuar bashkëpunimi me Rajonin e Lombardisë, Institutin Superior të Shëndetit dhe një grup ekspertësh laboratorikë ndërkombëtarë, dhe aktualisht nuk raportohet asnjë situatë kritike.











