Policia e Kurbinit ka vënë në pranga tre persona, pasi akuzohen se nën kërcënimin e armës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa pajisje me vlerë në banesën e një shtetasi në qytetin e Laçit. Mësohet se dje rreth orës 02:30, blutë e Laçit kanë marrë njoftim se në vendin e quajtur Fushë- Milot është vjedhur nën kërcënimin e armës, banesa e shtetases F.B. Sipas policisë, Klodian dhe Serxhio Kola, përkatësisht 25 dhe 20 vjeç kanë hyrë në banesë nga një dritare, pasi e kanë thyer atë me mjete rrethanore.
Shtetasja F.N. është gjendur përballë me autorët, ndërsa njëri prej ttyre mbante në dorë një armë automatike. Nga verifikimet e bëra rezultoi se autorët kanë vjedhur një televizor plazma 32-polsh dhe dy smartphone. Gjatë kontrollit në banesën e dy agresorëve u gjetën sendet e vjedhura si dhe arma e krimit me 10 fishekë. Gjithashtu, në banesën e shtetasve në fjalë është prangosur edhe 24-vjeçarja Brunilda Brozi (Daçi) e shpallur në kërkim më datë 16.05.2016, për vjedhjen e banesës së bashkëshortit të saj B.B.
Kjo shtetase akuzohet për vjedhjen e disa bizhuterive si dhe të një shume të konsiderueshme parash, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit Serxhio Kola. Gjithashtu, 24-vjeçarja dyshohet të jetë bashkëpunëtore në vjedhjen e banesës së shtetases F.N., pasi rezulton të jetë e mbesa e shtetases së dëmtuar. Tre të rinjtë akuzohen për “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim.
BW/d.i.