Një celular i gjetur në kroskotin e makinës së loguar “Hetimi Tatimor” mund të çoje hetuesit në zbardhjen e supergrabitjes. Deri më tani aparati i vjetër i është nënshtruar disa ekzaminimeve, por për Prokurorinë është mjaft e vështirë në zbardhjen e telefonatave, pasi celulari është model mjaft i vjetër dhe nuk ka të përfshirë sistemin GPRS apo valë, raporton A2 CNN.
Gjithashtu hetuesit dyshojnë se njëri prej personave të armatosur në brendësi të perimetrit të sigurisë është ish- ushtarak. Nga analizimi i pamjeve filmike hetuesit dyshojnë se njeri prej grabitësve mban armën në mënyrë identike me persona të specializuar si komando.
Për këtë policia së bashku me Prokurorinë kanë zhvilluar disa teste për analizimin e qelizave telefonikë në afërsi të fshatit Dritas, aty ku dhe mendohet se ka qenë pika e fundit ku autorët dogjën makinën me të cilën transportuan paratë.
Hetuesit besojnë se mes grabitësve ka pasur ura komunikimi dhe orari kur u dogj makina në 4 të mëngjesit mund ta lehtësojë punën me qelizat telefonike. Nga ana tjetër, të gjitha bankave të nivelit të dytë u janë dërguar shkresa zyrtare për të mësuar shumën e eurove të grabitura, por shifra paraprake bën fjalë për 5.7milionë euro.
Për sa i përket vendngjarjes ku humbi jetën 47 vjeçari Admir Murataj, janë sekuestruar 10 gëzhoja kallashnikovi, ndërsa laboratori shkencor ka konkluduar se plumbi që i mori jetën Muratajt është i forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Edhe pse dyshohet se nuk kishte shkëmbim zjarri pritet dhe një ekzaminim tjetër pasi dhe grabitësit përdornin të njëjtat armë si të policisë.
Një ish-komando në grabitjen e Rinasit?
Admir Murataj dyshohet se ka bashkëpunuar më ish-komando të ushtrisë për të realizuar grabitjen e parave në pistën e Rinasit mesditën e 9 prillit.
Hetuesit, pasi kanë analizuar pamjet filmike dhe kanë vëzhguar lëvizjet e personave që nën kërcënimin e armëve rrëmbyen paratë, kanë dyshime se një prej tyre është ish-komando.
Bëhet fjalë për grabitësin që qëndron në krah të Admir Muratajt. Ekspertët i kanë shtuar dyshimet mbi ish – komandon nisur nga lëvizjet e tij. Ai mban pozicion trupor dhe armën në mënyrë të ngjashme me ato te forcave speciale të ushtrisë.
Nuk është e qartë nëse komandoja është përfshire në shkëmbimin e zjarrit me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku mbeti i vrarë Murataj. Burime nga grupi hetimor i thanë Televizionit Klan se vetëm 2 nga 5 grabitësit kanë përdorur armët.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja kallashnikovi, të qëlluara nga dy armë të ndryshme. Ndërsa Admir Murataj rezulton të jetë qëlluar vetëm me 1 plumb, i cili i ka hyrë në syrin e majtë dhe ka dalë pas kokës.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda përmes një shkrese, u ka kërkuar tre bankave të nivelit të dytë të saktësojnë shumën e parave që u grabit.
Prej kësaj ngjarje, bankat dhe kompanitë ajrore kanë refuzuar të bëjnë dërgesa të tjera të parave jashtë vendit, për shkak se e konsiderojnë Rinasin të pasigurt.
/a.meta










