Fati kompanisë “ICTS”, përgjegjëse për ruajtjen e perimetrit të jashtëm të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Aviacionit Civil. Në nje intervistë për Vizion Plus, Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit, Genc Merepeza, pranon se firma kontraktore, nuk plotëson kushtet e pranuara nga BE.
“Duhet rishikuar kontrata konçensionare, nëse do të kemi hapësira ligjore do të mendojmë për një mënyrë tjetër të ruajtjes së aeroportit. Besoj kjo do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të komitetit të aviacionit civil dhe do të vendosim pikat mbi I.”- tha Merepeza.
Pas supergrabitjes të ndodhur mesditën e 30 qershorit, Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit Merepeza, pranon edhe përgjegjësinë e policisë, por thekson se janë marrë masa që situata të tilla të mos përsëriten më.
“Duke ndarë mendimin e të gjithëve që ngjarja ishte e rëndë, që nuk përjashton nga përgjegjësia as policinë sepse është një ngjarje që ka ndodhur në territorin e Shqipërisë…” theksoi Merepeza.
Për grabitjen e rreth 1 milion eurove në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza”, janë shoqëruar rreth 30 persona, ndërsa policia, nuk ka asnjë emër të dyshuar si autor te ngjarjes./Vizion plus/a.k