Detaje të reja dalin në dritë në lidhje më grabitjen e 3.2 milionë dollarëve të një banke të nivelit të dytë në Qafë Kashar, ngjarje e ndodhur më 9 shkurt të këtij viti.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për “News24” dhe “BalkanWeb” se të përfshirë në ngjarje janë edhe 3 persona të tjerë të cilët janë identifikuar nga pamjet në vilën e Admir Muratajt. Të dyshuarit shfaqen në vilën e Admir Muratajt ditën kur ndodhi grabitja, ndërsa ka dyshime se ata kanë role dytësore dhe jo përfshirje direkte në grabitje.
Admir Murataj dyshohet se mban disa identitete dhe është koka e grupit. Ai rezulton të jetë arratisur nga burgu i Trikallës në 2013 bashkë me grupin e Ilir Kupës. Murataj vuante dënimin për grabitjen e një banke në Larisa të Greqisë. Ai është shoqëruar në polici kur u arrestua grupi, por u la i lirë për mungesë provash.
Admir Çerpja është personi i parë nga 6 të arrestuarit për grabitjet e ndodhura në aksin Tiranë-Rinas që kërkon statusin e të penduarit, ndërsa Dash Kupa është personi i gjashtë i arrestuar. Grabitësit kanë vepruar me role të ndara dhe si një grup i strukturuar, si në grabitjen e Qafë-Kasharit më 3 dhjetor të vitit 2015 , ashtu edhe në grabitjen e 9 shkurtit 2017, ku u grabitën 3.2 milionë dollarë.
6 të arrestuarit për grabitjen në Qafë-Kashar:
1- Fatjon Xhyliu
2- Ditjon Memlika
3- Neim Avdyli
4- Ernest Kupa
5- Admir Çerpja
6- Dash Kupa
a.ç