Policia Kufitare e Durrësit ka arrestuar 4 persona pasi akuzohen për vjedhje dhe kontrabandë me mallra që paguhet akcizë. Shtetasit Sadri Haklaj, 31 vjeç, banues në Tiranë; Françesko Gërdeci, 24 vjeç, banues në Shijak; Sadik Krasnaj, 33 vjeç, banues në Durrës; dhe Artur Zhugri, 20 vjeç, banues në Kavajë; janë arrestuar pas një pune hetimore të mirëorganizuar nga Specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës.Pas një raportimi të ardhur në Portalin e Komisariatit Dixhital, i cili bënte fjalë për kondrabandë nafte në Portin e Peshkimit Durrës, rreth mesnatës policia ka dokumentuar me prova ligjore aktivitetin e jashtëligjshëm të shtetasve të mësipërm.
Të arrestuarit, në Kalatën Lindore, në Ish-Kantierin Detar Durrës janë kapur në flagrancë ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin vjedhur me qëllim shitjen jashtë territorit të Portit Durrës, naftë të marrë në anijet e peshkimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• dy bidona me një sasi prej 60 litra naftë;
• gjashtë bidona bosh;
• një bateri;
• një pompë me tuba dhe tela të montuar, e cila shërbente për thithjen e naftës nga depozitat.
Sakaq, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vjedhja” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” e kryer në bashkëpunim./a.m.