Kompania gjigande Google i ka propozuar Hillari Klintonit ndihmë pë rrëzimin e Presidentit sirian Asad, thuhet në disa nga emailet e publikuar nga Wikileaks.
Jared Cohen, drejtues i lartë i “Google” dhe ish-këshilltar i Klinton deri në vitin 2010, ofroi ndihmën e “Google” për të rrëzuar presidentin sirian Bashar al – Assad: “…po planifikojmë aktivizimin e një mekanizmi që do të gjurmojë publikisht dhe do të zbardhë itinerarin e dezertimeve në Siri; nga cila pjesë të qeverisë po vijnë”, shkruan Cohen në emailin e tij. Sipas tij ky inforgrafik që do të publikohej, “ishte kyç në inkurajimin e më shumë dezertimeve dhe për t’i dhënë besim opozitës”.
Përfaqësuesi i “Google”, një kompani që po bëhet problem edhe në BE, shkon më tej kur zbulon idetë e tij për të vendosur një bashkëpunim me “Al-Jazeera”, e cila do të prezantohet si pronare kryesore e sistemit në fjalë, do të kishte rol në gjurmimin e të dhënave, verifikimin e tyre dhe transmetimin e tyre në Siri. Një përpjekje që aktualizon skenarë të filmave të ndryshëm të një bote ku survejimi është i kollajtë dhe mbi të gjitha: abuziv dhe në kurriz të të drejtave të njeriut./Respublica/