Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet për Jamarbër Malltezin, ndaj të cilit policia kufitare e Rinasit referoi materialet për akuzën “goditje për shkak të detyrës” ndaj deputetit socialist Taulant Balla
Në argumentimin që bën prokuroria thuhet se, kjo është një çështje me të dëmtuar akuzues dhe se nuk mund të hetohet nga prokurorët.
Jamarbër Malltezi u denoncua në muajin qershor nga deputeti Ballam, i cili sapo mbërriti në Rinas kallëzoi se ishte goditur në Itali nga Malltezi, dhëndër i ish-kryeministrit Berisha.
Deklarata e policisë
Komisariati i Kufirit dhe Migracionit Rinas Më datë 25.06.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin J.M, vjeç 44, banues ne Tiranë, pasi në tranzitin e aeroportit Romë ka goditur për shkak të detyrës, deputetin e Kuvendit të Shqipërisë T.B vjeç 39, banues në Librazhd. Nenet 90 e 237 të Kodit Penal. Deputeti T.B është paraqitur në PKK Rinas, ku ka bërë kallëzim në lidhje me këtë ngjarje.
Goditi Taulant Ballën në Romë? Ja çfarë tha Jamarbër Malltezi në polici
Jamarbër Malltezi nuk ka pranuar të ketë qëlluar deputetin Taulant Balla në aeroportin e Romës, në Itali.
Pas marrjes në pyetje për më se dy orë, pas denoncimit nga deputeti socialist, hetuesit e Policisë nuk kanë mundur të shënojnë në procesverbalin e dëshmisë së Malltezit as pohim, as mohim nga ana e tij.
Burime të hetimit nga Policia kanë thënë për “Panorama” se marrja në pyetje e Malltezit është bërë në praninë e bashkëshortes së tij në lidhje me denoncimin penal të bërë nga Taulant Balla.
Malltezi, duke thënë se nuk ka asnjë gjë për të shpjeguar, mësohet se ka pranuar një debat verbal me deputetin socialist në aeroportin e Romës.
Sipas hetuesve, Malltezi ka pretenduar se Balla kishte bërë “provokim politik” ndaj tij dhe bashkëshortes, pa shpjeguar nëse fjala është për episode të ndodhura në aeroportin e Romës apo për debatet e deklaratat politike të personazheve në vazhdimësi./b.d










