Izraeli goditi dhjetëra objektivë ushtarakë rreth Teheranit, në valën e 10-të të sulmeve kundër Republikës Islamike. Shpërthime të reja pati në kryeqytet, ku u vu në shënjestër selia e Basij, një forcë paraushtarake e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, e po ashtu platformat e lëshimit të raketave dhe sisteme mbrojtëse.
Paralelisht, shteti hebre vijon bombardimet ajrore në shtetin fqinj të Libanit, ku paralajmëroi qytetarët në pjesë të Bejrutit jugor të largohen. Ndërtesa që, sipas Izraelit, janë të lidhura me Hezbollahun, janë goditur nga raketa, me një bilanc prej mbi 11 viktimash.
Irani, nga ana tjetër, vijon sulmet hakmarrëse kundër bazave të SHBA dhe aleatëve në rajon. Mbrëmjen e së hënës, dronët e Teheranit shënjestruan godinën e konsullatës amerikane në Dubai. Video që qarkulluan në rrjet tregojnë momentin kur një dron përplaset pas godinës, e cila përfshihet nga flakët dhe tymi.
Sulmi u konfirmua edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se ishte goditur një parkim pranë konsullatës.
Rubio: “I gjithë personeli është mirë. Siç e dini, kemi nisur të tërheqim të gjithë stafin diplomatik si masë sigurie. Kemi qenë me fat deri tani, por ambasadat tona janë nën sulm të drejtpërdrejtë terrorist.”
Po ashtu, ambasada amerikane në Katar u shënjestrua nga dy raketa balistike iraniane, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Një prej tyre u interceptua nga sistemet mbrojtëse të Katarit, ndërsa tjetra goditi bazën e Al Udaid, më e madhja në rajon.
Ushtria amerikane bëri të ditur se kishte shënjestruar 2 mijë objektivë në Iran që prej nisjes së fushatës ushtarake me Izraelin, ndërsa Irani ka lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe mbi 2 mijë dronë. Siç pretendohet, janë shkatërruar 17 anije iraniane.
Të martën, sulmet ajrore rrafshuan godinën ku po mbahej Asambleja e Ekspertëve që zgjodhi pasuesin e ajatollahut Ali Khamenei. Pamjet treguan ndërtesën e shkatërruar në qytetin e Qom, në jug të Teheranit.
Irani njoftoi se kishte zgjedhur Mojtaba Khamenei si udhëheqësin e ri suprem, djalin e dytë të Khameneit. Besimtari shiit, 56-vjeçar, konsiderohej prej kohësh si pasuesi më i mundshëm i të atit.
Izraeli, përmes ministrit të Mbrojtjes, Katz, paralajmëron se çdo lider i emëruar nga Teherani është shënjestër për eliminim.
Teherani nis sot ceremonitë për varrimin e Khameneit, ndërsa ka shpallur 3 ditë zie kombëtare. Sipas agjencisë së aktivistëve për të drejtat e njeriut me bazë në SHBA, rreth 1100 civilë janë vrarë në Iran që prej 28 shkurtit, nga të cilët 181 fëmijë nën moshën 10-vjeçare.











