Nga Roland Qafoku
Me aq bujë u emërua më 6 tetor 2021, me po aq bujë u shkarkua më 31 gusht 2022. Me 10 muaj e 25 ditë, Gledis Nano vendosi një rekord në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit: Ka qendruar me kohën më të shkurtër në detyrë në 25 vitet e fundit. Drejtori i 17-të i policisë pas rrëzimit të komunizmit, me pamjen e Leon Di Gilhardit, gjeneralit këshilltar të Ahmet Zogut, pothuajse pati një fillim dhe sidomos një fund me disa paarardhës të tij si Veton Gjoliku, Sokol Baraj apo Veli Myftari me “defektin” e madh të vetëm: Ndershmërinë. Pas 10 muaj e 13 ditë në detyrë, Sokol Baraj u tha jo shefave politikë dhe ata i gjetën kleçkën e rritjes së krimit. Pas 2 muaj e 11 ditë në detyrë, Veton Gjoliku u tha jo shefave politikë për shumë urdhra absurdë, por ata i gjetën mungesën e rezultateve të shpejta. Veli Myftari e kishte edhe më të rëndë situatën. Pas 1 viti, 10 muaj e 2 ditë në detyrë, e arrestuan për “ndershmëri” në punë, duke i stisur një histori implikimi në skandalin e pasaportave. Pak a shumë këtë lloj modeli e ndoqi edhe Gledis Nanon. Me fjalë të koduara e tha vetë, teksa në fjalën përshëndetëse huazoi një rregull jete nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Izraelit, Shimon Peres:
“Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral”.
Në drejtimin e Policisë së Shtetit në këto 10 muaj e 25 ditë atë nuk e ndihmoi as diploma e FBI-së e marrë në Bazën e Korpusit të Marinës Quantico, në Virginia të SHBA. Nuk e ndihmoi as anglishtja që i hapi dyert në karrierë e as ndershmëria e konfirmuar nga vetingu. Gledis Nanon nuk e ndihmoi as mbështetja e madhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe as suksesi në aksionet e Antiterrorit në Siri për shpëtimin e disa fëmijëve shqiptarë nga rekrutimi i ISIS dhe as morali që e ruajti deri ditën kur dorëzoi zyrën. Kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin e tij më 31 gusht dhe kjo u shoqërua me habi, kërshëri, mbështetje, kënaqësi për disa, pra, me pak fjalë, të gjitha llojet e mundshme të reagimeve sëbashku.
MUNGESA E REZULTATEVE
Po përse u shkarkua Gledis Nano? Të paktën zyrtarisht ne kemi vetëm motivin që ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dha kur njoftoi live shkarkimin e tij:
“Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano. Nuk realizoi objektivat. Qeveria dhe Këshillimi i Ministrave ka menduar se shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është një masë për të patur një reagim më të fortë në luftën ndaj krimit të organizuar”.
Nga kjo deklaratë kuptojmë së pari shumë qartë se marrëdhëniet mes ministrit dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë jo vetëm nuk kanë qenë normale, por në nivele të acaruara. Nga ana tjetër, në fjalën përshëndetëse të largimit, Gledis Nanos ai iu drejtua çdokujt, përveç dy shefave të tij direktë: ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryeministrit Edi Rama. Shumëkush mund të gjejë këtu arsyen e mosarsyes së shkarkimit. Por jo. Duhet të jemi të vëmendshëm. Ka një rregull të pashkruar në polici. Punët shkojnë mbarë kur drejtori i Përgjithshëm nuk shkon me ministrin e Brendshëm. Pra, e para pozitivisht, kur drejtori i policisë debaton dhe nuk bie dakord për orientime apo dhe urdhra në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret, kjo është një situatë e mirë. Por ministri Çuçi e ka kapërcyer këtë dhe mbron konkluzonin se Gledis Nano “nuk realizoi objektivat dhe se reagimi ndaj krimit të organizuar nuk ka qenë atje ku duhet”. 47 vrasje nga 1 janari deri në fund të gushtit është një shifër e frikshme po të mendosh se prej shumë vitesh, në 12 muaj numri i vrasjeve nuk i kalon më shumë se 50. Por më e rëndësishme së sasia e viktima është është fakti se krimi i organizuar ka ngritur kokë në atë formë sa nuk teprohet të thuhet se jeta është bërë e pasigurtë. Rrëmbime në mes të ditës, zhdukje të disa personave pa asnjë adresë, vrasje dhe ekzekutime të denja për aksionet e Cosa Nostrës të kryera në mes të ditës dhe në mes të autostradave. Të gjitha këto e kishin çuar situatën në atë pikë saqë vërtetë duhet të themi se duhej një valvul shkarkimi. A ishte përgjegjësi kreysor Gledis Nano? Duhet të tregohemi të drejtë: Nëse një punë nuk shkon mirë, përgjegjës është ai që mban detyrën më të lartë. Por a është vetëm Gledis Nano përgjëgjësi i kësaj situate? Sigurisht që nuk është. Unë do ta quaja të plotë operacionin “Mos realizimi i detyrave” nëse ministri Çuçi do kishte shkarkuar edhe disa drejtorë drejtorie në qarqe që duket sikur vegjetojnë dhe aftësinë më të madhe tyë tyrre e kanë se e kanë mirë me ministrin dhe kryeministrin. Në fakt janë pikërisht ata me cilësinë e servilit që e dëmtojnë punën thelbësore të policisë duke e patur mirë në njërën anë edhe me ministrin por po aq mirë edhe me personazhe të krimit. Nëse policia arrestoi një oficer të forcave speciale që shoqëronte një person në kërkim, përgjegjësi nuk ka vetëm ai oficer. A e beson kush që për këtë “stil” jete të këtij oficeri nuk kishin dijeni shefat e tij dhe drejtorët e tij?
MUNGESA E HAPJES ME PUBLIKUN DHE MEDIAN
Por çfarë defekti personal pati vetë Gledis Nano? Edhe pse i arsimuar në perëndim ai krijoi një marrëdhënie të mbyllur me publikun duke e kthyer këtë në mënyrë normale. Vërtetë ata që e përgatitën largimin e tij shprehen se pritshmëritë për Gledis Nanon ishin të mëdha dhe rezultatet për luftën ndaj krimit ishin zhgënjyese, por ajo që e fundosi kryepolicin ishte raporti me median. Gledis Nano nuk ishte i hapur me median dhe krijimi një formati të mbyllur nuk e çoi gjëkundi. Vërtetë ai kishte sjellje të mirë me gezetarët, por jo ishte pas kamerave dhe në biseda informale. Për këtë raport, në fjalën përshendetëse Nano i falenderoi gazetarët:
“Kam një vlerësim dhe falënderim të veçantë për median dhe përfaqësuesit e saj, të cilët kanë përcjellë me transparencë të plotë dhe kanë analizuar në mënyrë të paanshme dhe tejet profesionale çdo etapë të punës së Policisë së Shtetit, në përmbushjeve të detyrimeve dhe interesave ndaj qytetarëve”.
Por ama disa gazetarë e kanë kapërcyer misionin e tyre duke këputur mufka nëpër studio me të dhëna aspak të sakta dhe që e kanë çoroditur opinionin. Nëse Gledis Nano do sqaronte publikisht, për të gjitha mediat, situata të ndryshme kriminale, do kishte shumë më pak gazetarë që do abuzonin me deklarata që vërtetë bëhen lajm portalesh, por nuk kanë lidhje as me faktin e vërtetë e as me gazetërinë e vërtetë. Unë nuk e di cili është ai që këshillon dhe urdhëron kryepolicët që të mos flasin. Të mos sqarojnë. Të mos komunikojnë me gazetarët. Por të mos komunikosh me gazetarët do të thotë të mos komunikosh me publikun dhe të mos komunikosh me publikun është të heqësh një nga elementët e suksesit, policimin në komunitet. Është e provuar se ato polici në botë që janë më të hapura, që kanë më kontakt me publikun dhe me opinionin, janë më efikase në punën e tyre. Unë nuk jam me atë që kryepolici të qendrojë si star non stop në ekran siç kanë bërë disa paraardhës. Por jam i bindur që duhet të gjendeshin mekanizma që Gledis Nano duhet të ishte prezent aq sa duhej në media. Është praktikë e njohur në Perëndim që një herë në muaj një drejtor police jep një konferencë për shtyp. Përse bëhet kaq e vështirë dhe përse i shmanget kësaj mënyre policia? Për më tepër që në situata që ka kaluar vendi ynë me ngjarje kriminale, një drejtor i Përgjithshëm e ka për detyrë të flasë që çke me të për të sqaruar opinionin publik. Sqarime të llojit “x drejtor nuk di të flasë”, apo “y drejtor mund të bëjë gafa”, nuk janë normale. Nëse nuk dinë të flasin, një drejtor policie nuk mund të mbetemi te konstatimi se ai ka një defekt të madh. Një drejtor që nuk di të flasë, mund të vlejë për çdo pozicion, por për atë post nuk është. Gledis Nano nuk ishte i kësaj prerje.
HUMBI DUKE FITUAR
Gledis Nano u largua me shkarkim nga drejtimi i polcisë dhe kjo mund të cilësohej një humbje e betejës së tij. Por, në të njëjtën kohë ai ka fituar diçka. Një model që nuk iu vu kurrë në dyshim ndershmëria. Gjatë kohës që drejtoi Policinë e Shtetit nuk u përfol për asnjë aferë. Nuk u përfol për asnjë abuzim monetar në polici, nuk u përfol për asnjë abuzim profesional dhe nuk u përfol për asnjë lidhje me krimin. Epo këto nuk janë gjëra të vogla në këtë shoqërinë tonë kur vjedhja dhe abuzimi janë sport i kultivuar më së shumti. E aq më shumë në polici në të cilën ka edhe elementë që organizojnë skema dhe intriga për kurthe. Të gjitha këto duhet të ketë patur parasysh kryepolici kur i referohej filozofit kinez Konfuci në fjalën përshëndetëse teksa shkruante: “Fitorja jonë më e madhe nuk është të mos biem kurrë, por të ngrihemi sa herë që biem”! Të presim si do ringrihet Gledis Nano.
DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT 1990-2021 DHE KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË.
Fadil Canaj, 17 korrik 1990-1 maj 1992. (1 vit, 10 muaj e 16 ditë)
Astri Mehaj, 1 maj 1992-22 qershor 1993. (1 vit, 1 muaj e 21 ditë).
Sabri Jacaj, 22 qershor 1993-15 qershor 1995. (1 vit, 11 muaj e 24 ditë).
AgimShehu, 15 qershor 1995-30 qershor 1997. (2 vjet e 5 ditë).
Sokol Baraj, 3 korrik 1997-16 maj 1998. (10 muaj e 13 ditë).
Besnik Bregu, 16 maj 1998-4 shtator 1998. (3 muaj e 19 ditë).
Hasan Ahmetaj, 4 shtator 1998-9 nëntor 1998. (2 muaj e 5 ditë).
Veton Gjoliku, 9 nëntor 1998-20 janar 1999. (2 muaj e 11 ditë).
Veli Myftari, 20 janar 1999-22 nëntor 2000. (1 vit, 10 muaj e 2 ditë).
Bilbil Mema, 23 nëntor 2000-19 gusht 2002. (1 vit, 8 muaj e 27 ditë).
Bajram Ibraj, 12 shtator 2002-30 mars 2007. (4 vjet, 6 muaj e 18 ditë).
Ahmet Prençi 30 mars 2007-28 tetor 2009. (2 vjet, 6 muaj e 29 ditë).
Hysni Burgaj, 28 tetor 2009-9 tetor 2013. (4 vjet e 19 ditë).
Artan Didi, 9 tetor 2013-10 prill 2015. (1 vit, 6 muaj e 1 ditë).
Haki Çako, 20 prill 2015-5 shkurt 2018. (2 vjet, 9 muaj e 16 ditë).
Ardi Veliu, 5 shkurt 2018-6 tetor 2021. (3 vjet, 8 muaj e 1 ditë).
Gledis Nano, 6 tetor 2021-31 gusht 2022. (10 muaj e 25 ditë).