Nga Edmond Hoxhaj
Gjyqtari i Tiranës, Ervin Pollozhani u përball të enjten më 20 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për burimet financiare të familjes së bashkëshortes që kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti nga ana e saj. I pyetur nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Pollozhani dha gjithashtu shpjegime për tetë makina që i kishte shitur thuajse me të njëjtin çmim ose më shtrenjtë nga sa i kishte blerë si dhe për kontaktet me kunatin e dënuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Pollozhani po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.
Ervin Pollozhani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua në Gjykatën e Elbasanit, ku punoi përgjatë viteve 2006-2010. Prej vitit 2010, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.
Gjetjet për pasurinë
Në deklaratën “veting”, subjekti ka pasqyruar blerjen e një apartamenti në vitin 2016 kundrejt vlerës 120 mijë euro, pasuri e porositur në vitin 2014. Si burim krijimi, ai ka deklaruar shitjen e apartamentit të mëparshëm. Komisioni konstaton se bashkëshortja ka shitur në vitin 2014 për çmimin 130 mijë euro një apartament të blerë në 2012-ën për 11 milionë e 700 mijë lekë, që e kishte porositur në vitin 2007 kundrejt shumës 117 mijë euro.
Sipas shpjegimeve të subjektit, bashkëshortja ka shlyer vlerën 115 mijë euro në vitin 2007 kur është nënshkruar kontrata e porosisë dhe dy mijë euro do paguheshin në momentin e marrjes në dorëzim.
Gjyqtari Pollozhani ka theksuar se burimet financiare që kanë shërbyer për pagesën e çmimit të apartamentit në vitin 2007, janë krijuar përpara bashkëjetesës dhe martesës me bashkëshorten.
Subjekti ka detajuar si burime të ardhurat nga aktiviteti privat i babait të bashkëshortes; nga puna e saj si përkthyese gjatë luftës së Kosovës; si dhe nga shitja e bimëve medicinale, që i ka cilësuar si të mjaftueshme për mbulimin e çmimit të apartamentit të porositur në 2007-ën.
Subjekti ka deklaruar dhe një depozitë në vlerën 4.8 milionë lekë, me burim të ardhurat dhe depozitat e krijuara më parë ndër vite. Qirko tha se duket se kjo depozitë e ka burimin e origjinës në kthimin e një shume 4. 4 milionë lekë nga shoqëria ndërtuese në janar të vitit 2012, kur dhe është realizuar kontrata finale e blerjes së apartamentit të porositur në vitin 2007.
Vlera e kthyer nga shoqëria ndërtuese në vitin 2012 është konsideruar si diferenca e çmimit të paguar në vitin 2007 me atë të blerjes. Qirko vërejti se vullneti për kthimin e kësaj shume është shprehur me deklaratë noteriale, si dhe ka rezultuar se ka pasur ndryshim të sipërfaqes. Sipas relatores, duket se shuma 4 milionë e 446 mijë lekë është pjesë e fondeve të paguara në 2007-ën, përpara nisjes së bashkëjetesës mes subjektit dhe bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se nuk provohet ligjshmëria e të ardhurave të familjes së bashkëshortes së gjyqtarit Pollozhani për të mbuluar investimin e kryer prej saj në vitin 2007. Për këtë arsye, subjektit i është kërkuar të japë shpjegime dhe të dorëzojë prova për të vërtetuar ligjshmërinë e të ardhurave të familjes së bashkëshortes.
Situatë e ngjashme është konstatuar dhe për krijimin e një gjendje cash prej 1 milion lekë, shumë për të cilën Qirko tha se duket se ka si burim dhe një pjesë të fondeve të kthyera në vitin 2012. Megjithatë, nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë pasur mundësi për kursimin e këtij likujditeti.
Gjyqtari Pollozhani theksoi në fillim të fjalës së tij se me shpjegimet dhe provat që kishte depozituar në Komision, kishte arritur të provonte ligjshmërinë e burimeve të pasurive të tij dhe të bashkëshortes. Ai nënvizoi se, meqënëse gjetja e KPK-së kishte të bënte me pasuri të krijuar prej bashkëshortes para martesës dhe bashkëjetesës, do ta përqëndronte në këtë drejtim shpjegimin e tij, si në analizën ligjore, ashtu dhe të burimeve.
Ai pretendoi se nuk kishte detyrim ligjor të justifikonte pasuritë e krijuara prej bashkëshortes përpara se ata të jetonin së bashku. Por shtoi se, nisur nga fakti se afekton pasuri të krijuara gjatë regjimit martesor, do të jepte shpjegime për burimet në funksion të transparencës.
Sipas Pollozhanit, të ardhurat e familjes së barshkëshortes për periudhën 1995-2007 kishin qenë mbi 37 milionë lekë. Ai renditi veprimtaritë prej nga ishin krijuar këto të ardhura, si biznesi familjar i filluar në vitin 1994 kur ka marrë leje në Bashkinë e Tropojës; pagesat e bashkëshortes si përkthyese nga institucione ndërkombëtare; të ardhurat nga shitja e bimëve medicinale; si dhe nga pagat e bashkëshortes si mjeke.
Ai kërkoi që për të ardhurat nga biznesi familjar i bashkëshortes të përllogaritet marzhi i fitimit.
Pollozhani shtoi gjithashtu se kishte siguruar dokumentacione të institicioneve shtetërore që vërtetonin se vjehrri nuk ishte debitor dhe kishte shlyer gjithë detyrimet; se ai kishte blerë në vitin 2000 një furgon mallrash për aktivitetin tregtar dhe transportimin e bimëve medicinale. Sipas subjektit, në vitin 2005 vjehrri kishte marrë një tjetër ambient me qira se kishte pasur shtim të aktivitetit tregtar.
Lidhur me të ardhurat e bashkëshortes nga puna si përkthyese, ai sqaroi se kishte depozituar deklarata noteriale për ushtrimin e këtij aktiviteti prej saj.
Për të vërtetuar të ardhurat nga bimët medicinale tha se kishte vendosur në dispozicion lejet për transportin e mallrave. Sipas subjektit, provohet se të ardhurat dhe mundësia e kursimit e tejkalojnë vlerën e investuar në vitin 2007 për blerjen e apartamentit.
Lidhur me shumën e kthyer në vitin 2012 nga shoqëria ndërtuese, ai këmbënguli se duke qenë se kishte provuar ligjshmërinë e investimit të kryer, kishte vërtetuar njëkohësisht edhe ligjshmërinë e shumës 4 milionë e 446 mijë lekë.
Ai tha se ishte interesuar të dokumentonte kthimin e shumës për shkak të deklarimit që kryente, por se nuk mund të diktonte vullnetin mes shoqërisë dhe bashkëshortes.
I pyetur nga Qirko në lidhje me investimin fillestar të kryer nga bashkëshotja, subjekti deklaroi se nuk kishte pasur asnjë kontribut. Lidhur me pyetjen e relatores së përse bashkëshortja e kishte përcaktuar si bashkëpronar në apartamentin që ata zotërojnë aktualisht, kur ishte blerë me fondet e përfituara nga shitja e apartamentit të blerë me të ardhurat e familjes së saj, Pollozhani u shpreh se ky kishte qenë vullneti i bashkëshortes.
Në vijim, subjekti u përball me pyetjet e vëzhguesit ndërkombëtar, Steven Kessler, i cili solli në vëmendje se subjekti kishte pasur njohje me bashkëshorten prej vitit 2005.
Pollozhani pranoi se kishte qenë një prezantim në 2005-ën, por ai theksoi se nuk kishte pasur lidhje dhe bashkëjetesë. Sipas subjektit, bashkëshortja në atë kohë jetonte dhe punonte në Tropojë, kurse ai në Tiranë dhe Elbasan dhe se nuk kishin diskutuar për martesë.
I pyetur nga Kessler nëse vendimin për martesë e kishin marrë në vitin 2007 apo 2008, Pollozhani deklaroi se nuk mund ta thoshte dot saktësisht. “Kemi diskutuar pak kohë para se të martoheshim,” shpjegoi ai, ndërsa pranoi se bashkëshortja e kishte blerë dhe paguar çmimin e apartamentit disa muaj para martesës.
Kessler në vijim vërejti se prindërit e bashkëshortes kanë dhe dy djem dhe një vajzë tjetër, si dhe e pyeti subjektin nëse i dukej e drejtë që ata të ishin treguar kaq bujarë me këtë vajzë, kur kishin dhe tre fëmijë të tjerë. “S’di të them, zgjedhje e tyre”, u përgjigj Pollozhani.
Ai shpjegoi se në vitin 2010 kishin hyrë të banonin në apartamentin e blerë nga bashkëshortja, por për shkak se disa punime nuk ishin kryer; se sipërfaqja ishte zvogëluar si dhe kishte pasur vonesa, ishte dakordësuar kompesimi rreth 4.4 milionë lekë.
Pollozhani mohoi që kjo sjellje e kompanisë ndërtuese të kishte lidhje me pozicionin e tij si gjyqtar. Ai shtoi se kishte hequr gjithmonë dorë nga shqyrtimi i çështjeve ku palë kishte qenë kjo shoqëri ndërtuese.
Kessler konstatoi se Pollozhani kishte blerë e shitur në vite rreth tetë automjete, kryesisht të llojit Benz, thuajse me çmimin e blerjes ose më shtrenjtë dhe në një rast me dyfishin.
“Si ia bëni që të jeni kaq i zoti që t’i shisni më shtrenjtë”, pyeti Kessler, për një gjetje që nuk u referua më parë nga Komisioni.
Subjekti deklaroi se prej vitit 2014 nuk kishte pasur më makinë personale, por shtoi se zotërojnë vetëm një mjet familjar. Ai pohoi se këto mjete i kishte blerë me çmime reale dhe se nuk kishin qenë makina luksi. Pollozhani kundërshtoi shitjen e një mjeti për dyfishin e çmimit të blerjes, duke shpjeguar se kishte paguar edhe vlerën e zhdoganimit.
Ai shpjegoi se mjetet i kishte shitur ose me tabela të vendosura në to, ose nëpërmjet informacioneve të shpërndara nga të njohurit. Sipas subjekit, çmimet janë dakordësuar me vullnetin e palëve.
Komisioni konstatoi deklarim të pasaktë lidhur me një automjet të blerë për çmimin 400 mijë lekë, për rrjedhojë është konstatuar pamundësi financiare. Subjekti e cilësoi si lapsus pasaktësinë.
Figura dhe profesionalizmi
Relatorja Qirko paraqiti raport pozitiv për pastërtinë e figurës për gjyqtarin Pollozhani. Ndërsa vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler e pyeti subjektin se çfarë kontaktesh kishte me vëllanë e bashkëshortes, që sipas tij ishte dënuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe ishte deportuar.
Pollozhani tha se ishte pyetur dhe kishte dhënë shpjegime për këtë situatë. Ai këmbënguli se në deklaratën e figurës kishte pasqyruar gjithçka, por se nuk kishte pasur informacion për dënimin e kunatit. Subjekti theksoi se kur ishte pyetur për këtë situate, kishte qenë korrekt dhe kishte siguruar informacion në kohë rekord për t’iu vendosur në dispozicion të Komisionit.
Sipas subjektit, vendimi ishte dhënë 10 muaj pasi e kishte plotësuar deklaratën e figurës dhe se nuk kishte pasur informacion për çfarë kishte ndodhur.
Gjyqtari Pollozhani deklaroi se kunati është daja i fëmijëve të tij dhe se në evente familjare nuk mund ta evitonte.
Lidhur me aspektin profesional, u evidentuan gjetje për mosrespektim të afatit dhe mos regjistrimin audio të seancave. Nga 23 denoncime të kryera nga publiku, subjektit i janë kërkuar shpjegime për 12 prej tyre.
Relatorja Qirko konstatoi zvarritje të procesit dhe prishje të vendimarrjeve të subjektit nga gjykatat më të larta.
Subjekti tha se shtyrjet kishin qenë për rrethana objektive dhe jo për shkak të gjykatës. Lidhur me mosregjistrimin audio ai tha se shkak kishte qenë mungesa e sallave. Ai dha shpjegime për secilin prej 12 denoncimeve, duke theksuar se kishte ndjekur procedurën. Po ashtu, shtoi se Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk kishte gjetur shkelje për ankesat e kryera ndaj tij, për të cilat ngriheshin pretendime dhe në KPK.
Në përfundim gjyqtari Ervin Pollozhani kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 korrik, në orën 09:45.