Çoroditje dhe panik në sistemin e drejtësisë. Alarmi është dhënë nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndonëse për shkak të “ngrirjes” së ligjit të Vettingut, nuk ka nisur zbatimi i asnjë prej ligjeve të tjera prioritare, miratimi i akteve bazë të reformës në drejtësi duket se ka mjaftuar për të çoroditur armatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët më shumë se sa për detyrën, po mendojnë për pozitat dhe fatin e tyre në sistem.
Gjatë mbledhjes së KLD, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka pohuar se gjyqtarët po sillen si të ishin në ditën e fundit të punës, për shkak të tranzicionit në sistemin e drejtësisë. Ministri ka theksuar gjithashtu domosdoshmërinë e zbatimit një orë e më parë të reformës në drejtësi, ndërsa ka konstatuar se situata është kaotike.
“Në interesin politik dhe publik të këtij vendi, ne jemi të interesuar që një orë e më parë reforma në drejtësi të fillojë sepse edhe ky tranzicion i gjatë nuk është normal. Tranzicioni praktikisht sjell shumë zhvillime kaotike, në të gjithë sensorët që ne kemi. Besoj edhe në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe të Ministrisë së Drejtësisë kanë sensuar tashmë zhvillime realisht kaotike në sistemin gjyqësor. Gjyqtarë që sillen si në ditën e fundit të punës, që nuk është një gjë normale, dhe kjo vjen sigurisht për shkak të klimës së tranzicionit. Por nga ana tjetër unë do jem në mbështetje të aktivitetit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si institucion publik deri ditën e fundit ligjore të këtij Këshilli, derisa të bëhet hendovëri (hand over) apo dorëzimi tek Këshilli i ri i Lartë Gjyqësor, sigurisht që unë do të jem këtu për ta kryer këtë detyrë në përbërje të këtij Këshilli, për sa kohë që jam betuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që do ta kryej këtë detyrë”, është shprehur Manjani.
Situata kaotike
Situata kaotike është reflektuar edhe në një dokument të ditëve të fundit të Unionit të Gjyqtarëve, të cilët i kërkuan Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e ligjit të Vetingut, sidomos të kapitujve për ligjshmërinë e pasurive dhe kontrollin e figurës. Në dokument gjyqtarët kanë pranuar se nuk kanë dokumentacion ligjor për justifikimin e pasurive para se të nisnin detyrën, ndërsa kanë paralajmëruar se zbatimi i kapitullit për kontrollin e figurës mund të largojë shumicën e gjyqtarëve nga sistemi. Në këto kushte, rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë i kanë sytë dhe veshët tek Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, institucione të cilat do të thonë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e ligjit të Vetingut.
Vetingu i pashmangshëm
Edhe nëse Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të Partisë Demokratike dhe gjyqtarëve, e rrëzon ligjin e Vetingut, ky proces është tashmë i pashmangshëm, për shkak se është parashikuar në Kushtetutën e re, e miratuar me 140 vota në Parlament. Në Kushtetutën e re është parashikuar gjithashtu ILDKP, si organi, i cili do të kalojë në sitë pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga viti 1991. Në procesin e kontrollit të ligjshmërive të pasurive dhe të hetimit për pasuritë e fshehura jashtë apo brenda vendit, do të angazhohen edhe ekspertë amerikanë dhe evropianë. Në këtë kuadër, procesi i Vetingut mund të shtyhet në kohë, por është i pashmangshëm.
Skenarët për ligjin e Vetingut
Skenarët janë tre. Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë ligjin e Vetingut, duke mundësuar shtyrjen e zbatimit të reformës në drejtësi, sipas lojës së Partisë Demokratike dhe interesit të gjyqtarëve. Në këto kushte, komisioni për reformën në drejtësi, EURALIS dhe OPDAT pritet të angazhohen me shpejtësi, për hartimin e një drafti të ri, në përputhje me Kushtetutën e re dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë pjesërisht ligjin e Vetingut, ndoshta duke zhbërë rolin e DSIK dhe Pastrimit të Parave. Një vendim i tillë, mund të detyrojë Parlamentin për të rishikuar ligjin. Por, Gjykata Kushtetuese edhe mund ta konfirmojë ligjin e Vetingut. Ky skenar nxitet nga dy faktorë. Së pari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian po ushtrojnë presion për konfirmimin e ligjit dhe zbatimin së më parë të tij. Së dyti, Komisioni i Venecias është shprehur një herë për procesin e Vetingut. Në opinionin e fundit të Komisionit të Venecias, konfirmohen parashikimet themelore të ligjit të Vetingut.
shqiptarja.com/d.i.