Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ka shkaktuar reagime të forta në sistemin e drejtësisë. Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit e konsideroi ngjarjen e rëndë si sulm brutal ndaj drejtësisë.
Në një reagim zyrtar, gjykata e Fierit vlerëson se kjo tragjedi, duhet të shërbejë si thirrje për të ndaluar çdo formë dhune, fyerjeje, poshtërimi apo kërcënimi ndaj magjistratëve dhe gjithë atyre që kontribuojnë në dhënien e drejtësisë.
Gjykata thekson se vrasja e gjyqtarit Kalaja, është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh dhimbjen dhe hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë ushtrimit të detyrës, në sallën e gjyqit.
Ky akt i rëndë dhe i papranueshëm përbën një sulm brutal ndaj drejtësisë, ndaj figurës së magjistratit dhe ndaj vetë rendit demokratik në Republikën e Shqipërisë. Vrasja e një gjyqtari në vendin ku jepet drejtësia është një goditje ndaj themeleve të shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.
Ngjarja e rëndë e ndodhur në ambientet e gjykimit duhet të shërbejë si thirrje e fortë për të ndaluar çdo formë dhune, fyerjeje, poshtërimi apo kërcënimi ndaj magjistratëve dhe gjithë atyre që kontribuojnë në dhënien e drejtësisë”, thuhet në reagim.
Gjykata e Gjirokastrës: Vrasja e gjyqtarit, goditje e rëndë për drejtësinë shqiptare
Mbi tragjedinë e rëndë ka reaguar dhe Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër e cila thekson se kjo ngjarje përbën një pasqyrë të realitetit të vështirë me të cilin përballen institucionet e drejtësisë, duke vënë në pikëpyetje autoritetin gjyqësor dhe sigurinë e magjistratëve që i shërbejnë këtij sistemi.
Trupa gjyqësore e Gjirokastrës thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurimit të kushteve optimale për ushtrimin e detyrës është domosdoshmëri për të garantuar integritetin dhe funksionimin normal të sistemit gjyqësor në vend.Në fund të deklaratës, gjyqtarët e Gjirokastrës shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe kolegët e gjyqtarit Astrit Kalaja, duke e cilësuar humbjen e tij si një goditje të rëndë për drejtësinë shqiptare.
Gjykata e Lezhës pezullon seancat gjyqësore
Si shenjë solidariteti me kolegun e ndjerë, një pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë kanë vendosur të pezullojnë zhvillimin e seancave gjyqësore.
Burime pranë gjykatës bëjnë të ditur se pezullimi përfshin të gjitha çështjet, përveç atyre me afate ligjore dhe masave të sigurimit, të cilat do të vazhdojnë normalisht.
Ky vendim vjen pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë, e cila ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e gjyqtarëve dhe punonjësve të sistemit të drejtësisë.
Gjykata e Elbasanit pezullon seancat gjyqësore për sot dhe nesër
Në shenjë respekti ndaj gjyqtarit të ndjerë, Gjykata e Shkalles së Parë Elbasan ka bërë me dije se do të pezullojë të gjitha seancat gjyqësore të planifikuara për datat 7-8 tetor, me përjashtim të seancave gjyqësore që lidhen me masat e sigurimit për shkak të afateve kohore.
“Në respekt dhe solidarizim për ngjarjen e rënde te humbjes së jetës në mënyrë tragjike nẽ krye të detyrës të gjyqtarit të Gjykatës se Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm z. Alfred Kalaja, do të pezullohen të gjitha seancat gjyqësore të planifikuara për datat 07.10.2025 dhe 08.10.2025, me përjashtim të seancave gjyqësore të karakterit të ngutshëm që lidhen me masat e sigurimit, për shkak të pjesëmarrjes së Trupës Gjyqësore në homazhet që do të mbahen në nder të kujtimit të gjyqtarit”, thuhet në njoftim.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë pezullon gjykimet e planifikuara për datat 7 dhe 8 tetor
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë (dhomat civile dhe penale) gjithashtu ka pezulluar gjykimet e planifikuara për datat 7 dhe 8 tetor 2025, përveç gjykimeve me karakter urgjent (masa sigurimi, urdhëra të menjëhershëm mbrojtjeje…).
Autori i ngjarjes Elvis Shkambi ka qenë pala e dëmtuar e një procesi gjyqësor për një çështje pronësie, e cila po shqyrtohej nga gjyqtari Kalaja.
Për ngjarjen u arrestua autori Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij si bashkëpunëtor në ngjarjen tragjike, si dhe roja e sigurisë për shpërdorim detyre.











