Arrest në burg është masa e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit Gjirokastër ndaj shtetasve Behar Zyberi dhe Shpëtim Malasi, si autorë të dyshuar dhe të ndaluar si personat të cilët kanë kryer atentatin me lëndë shpërthyese, ku si pasojë humbi jetën 48-vjeçari Beqir Devolli nga Gjirokastra.
Ngjarja ndodhi më datë 10 tetor në qendër të qytetit dhe zbardhja e saj u krye 6 ditë më pas, ku falë hetimeve intensive, policia bëri të mundur edhe ndalimin e këtyre dy shtetasve, si dhe ka shpallur në kërkim Gentjan Zhupën nga Tepelena, si dhe Kliton Omerin nga Tirana.
Ndërsa dyshohet se në ngjarje janë përfshirë edhe persona të tjerë, të identifikuar nga organet kompetente, por që për arsye hetimi gjeneralitetet e tyre nuk bëhen me dije. Shkak është prishja e pazareve të lëndëve narkotike drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

