Seanca gjyqësore rreth legjitimitetit të shkarkimit të Erion Veliajt nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, është nga të paktat seanca gjyqësore në botë, ku të gjithë janë të kënaqur me të gjitha rezultatet.
Arsyeja është se palët nuk janë në betejë me njëra-tjetrën, por secila më vete me Gjykatën Kushtetuese.
Socialistët duan të mbetet në fuqi shkarkimi i Veliajt, për shkak se u duhet një kryetar bashkie në Tiranë dhe qyteti po degradon dita-ditës. Të emëruarit e rinj bëjnë ndonjë punë të tyre, por jo punët e qytetit.
Pra, atyre më shumë sesa shkarkimi i Veliajt, u duhet leja të zgjedhin një kryetar të ri.
Veliajt i duhet beteja ligjore, jo për të qëndruar kryetar bashkie i Tiranës, por për të konsumuar procesin e ankimimit, i cili fill pas Gjykatës Kushtetuese shkon në Strasburg.
Në rast se Gjykata lë në fuqi shkarkimin, gjë që do ishte opsioni më i vështirë, Veliaj viktimizohet dhe më tepër dhe fiton të drejtën të shkojë më shpejt në Strasburg.
Pra, nuk është se i shkaktohet ndonjë dëm personal.
Edhe ai në këtë rast nuk e ka betejën me socialistët, por me procedurën.
E vetmja që e ka betejën me veten, është Gjykata Kushtetuese. Ajo është para krijimit të një precedenti për të gjykuar legjitimitetin e shkarkimit të një kryetari bashkie, i cili është arrestuar nga zyra në proces hetimor, pa u marrë i pandehur, dhe për shkak se është rrëmbyer nga zyra, pastaj është shkarkuar edhe pse nuk është përgjegjësi e tij rrëmbimi nga zyra.
Me këtë precedent, çdo i zgjedhur në Shqipëri mund të futet në hetime, të arrestohet, pastaj pas tre muajsh, pavarësisht procesit, ai mund të shkarkohet dhe t’i merret detyra që ia kanë dhënë qytetarët.
Ky është hall vetëm i Gjykatës Kushtetuese. As i Erion Veliajt, i cili praktikisht ka objektiv betejën e tij ligjore, dhe as i socialistëve, të cilët kanë problem me qeverisjen e Tiranës.
Dhe këtë hall Gjykata Kushtetuese duhet ta zgjidhë duke vendosur më shumë për dinjitetin e saj, sesa për hallet e socialistëve dhe Veliajt, secili për hesap të vet.
Por e riparë nën dritën e zhvillimeve të fundit, një vendim që mbron legjitimitetin e të zgjedhurve nga populli dhe mos-heqjen e mandatit të tyre përmes rrëmbimit nga zyra, do të shtynte zgjedhjet në Tiranë për vitin 2027, nëse Veliaj pastaj nuk do të jepte vetë dorëheqje disa muaj më vonë.
Por edhe kjo mund t’i shpëtonte të gjithë, socialistë dhe demokratë.
Kështu siç po zhvillohet fushata, është mirë për PD dhe PS të mos vazhdojë më.
Socialistët kanë një kandidate me fitore të sigurtë elektorale, por pa asnjë emocion politik.
Është në një farë mënyre një fushatë ku edhe kështu, socialistët më shumë duken sikur emërojnë dikë kryetar sesa sikur e zgjedhin atë.
Përqindjet e votuesve do jenë të ulëta, zgjedhjet do të jenë jo entuziaste dhe kryetarja e re e Bashkisë do të vuajë, pa të drejtë, konjukturën e zgjedhjes më shumë sesa aftësitë e saj.
Opozita nga ana tjetër është në një situatë të pazakontë, me një kandidat që i trajton liderët e opozitës si lebrozë që nuk duhet t’i afrohen se e infektojnë dhe ata zhvillojnë takime vetëm nëpër skuta, kurse ai bën betejë në TikTok.
Kjo nuk ka për të ndryshuar rezultatin.
Opozitarët do t’i japin atij votën, që nuk e bën fitues, dhe Berisha do ketë më pas një kokëçarje të re brenda opozitës, pasi situata aty brenda është aq zi, sa njerëzit janë gati të votojnë edhe dikë që nuk do t’u japë as dorën.
Dhe kjo do jetë një taksë që do ta paguajë pastaj përsëri në zgjedhjet e vitit 2027.
Ndaj edhe pse nuk e thonë, një vendim i Gjykatës Kushtetuese që lë në fuqi si kryetar bashkie Veliaj, i shpëton të dy palët: socialistët nga një fushatë e imponuar nga drejtësia politike, dhe opozitarët nga një fushatë e distancuar nga figurat politike.
Por këtë gjë natyrisht që Gjykata nuk ka pse ta marrë parasysh.
Ajo nesër ka gjyq me vetveten.
Thjesht duhet ta dinë që palët e interesuara, në çdo rast, janë të fituara.











