Gjykata e Apelit ka shtyrë të mërkurën procesin për Arben Frrokun, pasi në seancë mungonte avokati i tij, Genc Gjokutaj. Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, në fillim të muajit prill, shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, biznesmenin e akuzuar nga Prokuroria si autor i vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt më 24 shkurt 2013.
Pas pafajësisë së Arben Frrokut, çështja u apelua nga prokuroria. Tashmë, seanca e radhës për Arben Frrokun do të zhvillohet më 10 qershor.
I mbajtur nën gjykim për 13 muaj për vrasje në rrethana cilësuese të shefit të policisë, gjykata pranoi vetëm një pretendim të Prokurorisë, që Frroku dhe Lamaj kishin patur konflikte me njëri-tjetrin për shkak të detyrës së këtij të fundit.
Prokuroria pretendon se gjykata nuk mori parasysh provat e paraqitura prej saj, ndaj vendosi të apelojë çështjen.









