Nga Fatos Çoçoli
Tek ne, çdo projekt i madh publik ka një fat të paracaktuar: sapo shpallet fituesi i tenderit, hapet automatikisht edhe sezoni politik i akuzave. Tuneli i Llogarasë, një vepër strategjike që duhej të përqendronte debatin në shkurtimin e kohës për të shkuar në Rivierën Shqiptare, në impaktin në turizëm dhe në modernizimin infrastrukturor, u shndërrua menjëherë në një tribunë për kalkulime politike, teori konspirative dhe akuza pa prova.
Një gjueti tipike shtrigash, ku fajtorët shpiken, përpara se faktet të kërkohen. Vrullit të rindezur të kësaj gjuetie i kontribuoi dhe SPAK, duke i lejuar vetes të përcillte fshehtas në disa media fraza të shkëputura nga konteksti, të përgjimeve të komunikimeve të një zyrtari të lartë, zëvendëskryeministres, për të prodhuar një gjyq popullor të hamendësimeve për abuzim dhe madje korrupsion në përzgjedhjen e kompanisë fituese të tenderit.
Nëse do të merrej një ekspert i pavarur nga jashtë vendit dhe do t’i paraqiteshin akuzat-hamendësime që u hodhën publikisht, se tenderi ishte “i paracaktuar”, “i manipuluar”, “i fabrikuar” apo “i mbyllur”, i vetmi reagim profesionist i tij/saj do të ishte një: “Ku janë provat?”.
Por debati politik në Shqipëri, i fryrë nga sjellja e papërgjegjshme e SPAK me “dekonspirimin” në publik të frazave nga hetimi i vet, nuk ka durim për prova. Në mungesë të tyre, ndërtohet narrativë. Në mungesë të dokumenteve, hidhen dyshime. Në mungesë të transparencës së lexuar me sy profesional, kërkohet medoemos skandali.
Në këtë terren, vepra e Tunelit të Llogarasë u bë viktimë ideale: i madh, i shtrenjtë, kompleks dhe i gjithi teknikisht i pakapshëm për shumicën e politikanëve që flasin për të çdo ditë.
Një nga problemet më të mëdha të të kuptuarit të procedurave për një tender të tillë nga qytetarët dhe opinioni publik, është se procedurat ndërkombëtare të tenderimit, që përfshijnë standardet profesionale FIDIC https:(//fidic.org/books/construction-contract-2nd-ed-2017-red-book). Ato përfshijnë kërkesa të rrepta për eksperiencë të specializuar, kritere financiare dhe teknikë sigurie.
Këto kërkesa, kur nuk shpjegohen në publik, interpretohen lehtë publikisht nga politikanët tanë sikur janë shtrëngime të qëllimshme për të përjashtuar kompani të caktuara. Fakti që asnjë nga kompanitë pjesëmarrëse dhe mosfituese në tenderin e Tunelit të Llogarasë nuk u ankua, nuk ka rëndësi për gatuesit e gjuetisë së shtrigave.
Askush prej tyre nuk thotë hapur se tuneli nuk është rrugë fshati, por një vepër e kategorisë së lartë, që kërkon kompani me portofol specifik ekspertize në tunele alpine. Kjo sjell një paradoks, pasi tek ne publikisht kërkohet që tenderët e mëdhenj të jenë njëkohësisht edhe ultrateknikë, edhe ultra të hapur për çdo kompani shqiptare të interesuar, pavarësisht se nuk i plotëson kushtet e rrepta teknike, madje edhe për kompani që nuk kanë shpuar kurrë një mal. Kjo është absurde. Por ama ky absurditet ushqen më së miri gjuetinë e shtrigave.
Kështu, anatemohet fakti që ura e pranishme në projekt nuk është ndërtuar. Dhe madje, duke qenë se tuneli rezultoi, për fat, me dy tuba kalimi (gërmimi eci shumë mirë), nga një tub kryesor lëvizjeje dhe një tub emergjence që ishte në projekt, kosto e ndërtimit të urës, nga 5-6 milionë euro e preventivuar në projekt, shumëfishohet nga gatuesit e gjuetisë së shtrigave në 25 milionë euro.
Dhe fantazia e ithtarëve të teorive të konspiracionit thellohet: meqenëse kemi dy tuba, duheshin dy ura. Dhe meqenëse këto dy ura nuk janë ndërtuar, dëmi dhe vjedhja është 50 milionë euro! Në fakt, nga zbatuesit e projektit, thjesht u përzgjodh, për të mos rritur koston dhe për të mos e çuar me 5-6 milionë euro më tepër, që trajektorja e rrugës deri në tunel të devijohej dhe të mos kishte nevojë për ndërtimin e urës në projekt, i cili, vërtet, me të dy tubat, nëse rruga nuk do të devijohej, do të kishte kërkuar ndërtimin e dy urave.
Dy ura në mal janë vërtet të bukura dhe tërheqëse për syrin e atij që udhëton, por kushtojnë. Dhe zbatuesit, kompania që ndërtonte, e mbikqyrur nga qeveria jonë, vendosën të kursenin dhe të realizonin veprën, pa i shtuar një kosto prej 5-6 milionë euro të tjera. Kosto e ndërtimit të urës së parë u përthith nga kosto e devijimit të trajtektores së rrugës, pikërisht për të shmangur koston e ndërtimit të të dy urave. Këtë gatuesit e gjuetisë së shtrigave nuk kanë kurrsesi se si ta thonë. Po qytetarët duhet ta dinë.
Në vend që të kërkohet llogari mbi cilësinë e punimeve, afatet, mbikëqyrjen dhe kostot e mirëjustifikuara, gjuetia e shtrigave e zhvendos fokusin. Dhe fajtorë bëhen juristët, inxhinierët e ministrisë, komisionet teknike, firmat, ekspertët e pavarur dhe sigurisht, kush i mbikqyr te gjitha, qe eshte titullarja e ministrise. Çdokush që nënshkruan një dokument publik në këtë tendër, rrezikon të shpallet pjesë e një mega-komploti abuzues dhe korruptiv.
Ky është terror administrativ, jo hetim profesional nga SPAK. Dhe viktima e parë është profesionalizmi. Askush nuk do të marrë më përgjegjësi, po ta dijë që çdo vendim teknik do të komentohet publikisht nga politikanë që nuk dinë të lexojnë as një tender standard, jo më një projekt të një tuneli 6-kilometërsh!
Të vetmin dëm të vërtetë të kjo gjueti shtrigash shkakton e merr vendi. Kompanitë serioze ndërkombëtare, që kanë eksperiencë, standarde dhe reputacion, shohin këtë klimë toksike dhe mendojnë dy herë, përpara se të aplikojnë në tenderë të rinj. Investimet publike tek ne janë tkurrur nga këto “trimërira” jo profesionale të SPAK dhe nga kori i gjuetarëve të shtrigave.
Dhe me të drejtë: askush nuk dëshiron të përfundojë në tituj të gazetave dhe portaleve, thjesht sepse ka fituar një tender sipas rregullave, apo punonjës të administratës nën hetim, pse kanë hedhur një firmë të bindur për anën teknike të rregullt, në komisione tenderimi.
Ky është paradoksi i hidhur shqiptar: duam projekte moderne, por i shohim si armiq kompanitë profesionale që vendosin të marrin pjesë. Duam investime të mëdha, por i presim me thika dyshimi. Duam transparencë, por nuk lexojmë dokumentet.
Shqipëria ka nevojë për debat. Dhe për kritika. Por jo për djegien në turrë të druve të çdo vepre me interes strategjik për zhvillimin tonë. Në një vend serioz, tenderi i Tunelit të Llogarasë do të analizohej me kritika profesionale, jo me fantazi politike. Dhe nëse ka shkelje, ato le të hetohen me prova, jo me deklarata, apo me fraza zbardhje komunikimesh, që vjedhurazi i kalohen disa mediave.
Deri atëherë, duhet të kuptojmë një gjë të thjeshtë: vendi nuk modernizohet duke shpikur skandale. Modernizohet duke i marrë seriozisht projektet publike. Duke i ndërtuar, jo duke i baltosur. Dhe mbi të gjitha, duke i çliruar institucionet nga frika e sulmeve pa baza. Tuneli i Llogarasë nuk ka nevojë për gjueti shtrigash. Ka nevojë për profesionalizëm, kontroll real dhe një publik që dallon diferencën mes kritikës dhe shpifjes.












Ne shume ceshtje qe Spak heton dalin shpesh here ne media te dhena te dosjeve , sidomos kur jane te mazhorances. A denohet nga drejtesia dalja e sekretit hetmor qe eshte i zakonshem ? ILD dhe KED duhet te veprojne ndryshe do keni gjykim popullor ne sondazhe . Populli kerkon drejtesi pa anesi politike dhe partiake
Sahanlëpirës