Njësitë administrative Levan dhe Frakull në qarkun e Fierit, ishin ndalesat e radhës të Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj në kuadër të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”.
Bashkë me kryetarin e bashkisë, deputetët e zonës dhe gjithë drejtuesit e drejtorive qendrore e vendore ministrja ka dhënë llogari për punët e kryera, por edhe për çfarë do të bëhet akoma në këtë mandat qeverisës.
“Folëm për Reformën në Drejtësi, si një kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë lodhur për dy dekada e gjysmë nëpër dyert e gjykatave nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Rezultatet e kësaj reforme i siguruan Shqipërisë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit për në BE”, është shprehur Ministrja Gjonaj në një prononcim pas takimeve.
Reforma e pronës, për të cilin kishte një interes të veçantë nga banorët, është një tjetër prioritet i Qeverisë. Ministrja i ka siguruar banorët se brenda mesit të vitit 2019 do të regjistrohen të gjitha titujt e pronësisë që lidhen me tokat bujqësore dhe po ashtu do të ngrihet Agjencia e Integruar e Tokave. Kështu qytetarët nuk do të sorrollaten më nga njëra zyrë në tjetrën për legalizimin dhe për regjistrim të shtëpive të tyre, por do jetë Agjencia që do kujdeset për dokumentacionin e nevojshëm.
Investimet ishin një tjetër temë diskutimi. Përfaqësuesit e pushtetit qëndror dhe lokal kanë thënë se Qeveria ka kryer një sërë investimesh strategjike, e njëkohësisht dhe për 6-mujorin që vjen, deri në fund të 2018-ës, do të kryhen investime në shkolla, në qendra shëndetësore, por njëkohësisht edhe në infrastrukturë në rrugë, si dhe në ndërtimin e hekurudhave të reja, siç është ajo e Tiranë-Durrës.
Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe zv.ministri i Bujqësisë, Ilirjan Halilaj iu shpjeguan fermerëve të këtyre zonave masat që do të merren për zgjidhjen e problemit të përmbytjeve të tokave bujqësore, por edhe për azhornimin e tyre, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturave bujqësore.
Nuk mungoi edhe në këtë takim ftesa e ministres Gjonaj për të gjitha banorët që t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al për problemet dhe shqetësimet që ata kanë me institucionet e administratës publike, pasi ty do të marrin përgjigje brenda 10 ditësh.