Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, ka kërkuar dorëheqjen nga dosja penale e njohur si “Toyota Yaris”, që përfshin ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, dhe të tjerë të pandehur për kontrabandën e 3.4 milionë eurove cash. Kërkesa e saj është pranuar nga Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme, dhe sipas shortit të 21 janarit 2025, kjo çështje tani do të vijojë nga gjyqtari Erjon Çela.
Gjoka ka dhënë dorëheqjen për shkak të një konflikti të mundshëm interesi, pasi ka qenë pjesë e trupës që shqyrtoi çështjen e sekuestrimit të pasurive të Suel Çelës, i cili është i përfshirë në këtë dosje.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se të dyshuarit në këtë çështje kanë diskutuar për mënyrat se si mund të ndikojnë në sistemin e drejtësisë për të hequr sekuestrimet nga pasuritë e Çelës. Për këtë arsye, Gjoka ka vlerësuar se mund të jetë dëshmitare në proces dhe ka shmangur përfshirjen në këtë dosje.