Gjyqtarët po aplikojnë gjoba me vlerë deri në 1 milion lekë të vjetra, për çdo avokat që sipas tyre, bëhet shkak për zvarritjen e proceseve gjyqësore. Më të dëmtuarit nga kjo praktikë janë avokatët e shtetit, të cilët paguhen 2 mijë lekë për çdo seancë gjyqësore dhe në këtë mënyrë ata nuk munden të sigurojnë as të ardhura minimale për të mbajtur familjen.
Për Kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhiaj, gjobat janë një praktikë abuzive, pasi sipas tij, gjyqtarët injorojnë shkaqet që paraqesin mbrojtësit ligjorë për mos-pjesëmarrjen në gjykim.
“Ajo që të vlen si konkluzion i parë kur sheh këtë praktikë, është që kjo është një praktikë abuzive bërë nga gjyqtarët, të cilët duhet ë krijojnë idenë që proceset e tyre që po shtyhen, duke e hedhur përgjegjësinë të avokatët, si shkaktarë të kësaj shtyrje”, u shpreh Haxhiaj.
Haxhiaj është i mendimit se për zvarritjen e gjyqeve përgjegjës janë gjyqtarët, për sa kohë i caktojnë avokatët sipas interesave të tyre të ngushta.
“Janë gjyqtarët që shkaktojnë këtë amulli, për sa kohë ju kemi paraqitur një listë…nga kjo listë ata do ruajnë radhë. Është çuditërisht edhe qesharake, por edhe serioze, fakti që këta gjyqtarë në procese të thjeshta pa probleme, zgjedhin gjithmonë dhe kontaktojnë ata avokatë që duan. Kur vjen puna për gjyqet me probleme vendosin avokatë të tjerë duke parakaluar edhe radhën. Ne kemi kërkuar që t’i bëjmë prezent KLGJ që filan gjyqtar ka zgjedhur në 100 procese, 70 i ka me një apo 2 avokatë”, tha ai.
Ish-prokurori i Përgjithshëm deklaroi se së shpejti, dhoma do t’i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i bërë propozime konkrete, për zgjidhjen e situatës, ku gjyqet zvarriten edhe me vite, ndërsa theksoi se me problematike në vënien e gjobave janë Gjykatat e Posaçme, ku gjykohen bosët e krimit.
“Nëpërmjet sistemit online kemi organizuar mbledhjet me komitetit drejtues të dhomës dhe shumë shpejt do të dalim me një qëndrim, vecanërisht për t’ju drejtuar KLGJ për dy probleme, e para për aplikimin drejt të gjobave dhe e dyta për masën e gjobave që po vendosen”, deklaroi Haxhiaj.
Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë pranoi se ka avokatë, të cilët manipulojnë apo abuzojnë me pozicionin e tyre, por theksoi se ata janë ndëshkuar sipas ligjit. Duke folur në gjuhën e shifrave, Haxhiaj tha se vetëm gjatë 2020, edhe pse në kohë pandemie janë gjykuar nga Komiteti Disiplinor 80 ankesa ndaj mbrojtësve ligjore. Ai tha se ky institucion është jo vetëm demokratik nga mënyra e kompozimit të tij, por edhe serioz në vendimet e tij.
Që nga koha që është krijuar ky komitet janë gjykuar mbi 400 kërkesa, janë hequr 5 licenca, janë pezulluar 4 licenca. Janë marrë masa të tjera administrative ndaj avokatëve, të tjerat nuk kanë rezultuar se duhet të merreshin masa për avokatët.
Në gjykatat ne vend ka me dhjetëra gjyqe që shtyhen pafundësisht dhe kjo shfrytëzohet nga bosët e krimit, të cilët në jo pak raste kanë fituar lirinë për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit.