Këtë të mërkurë, më 18 mars, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të japë vendimin nëse dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë, do të kalojë apo jo për gjykim.
Pak më herët, ka mbërritur në GJKKO avokati i Metës, Kujtim Cakrani.
“E kemi pritur këtë ditën sot, kemi 7 muaj.”, tha ai, duke u shprehur me bindje se sot do të ketë më në fund “një vendimmarrje“.
Duke shkëmbyer batuta me gazetarët, Cakrani kujtoi bastin që ka vënë me ta se brenda këtij muaj, ish-presidenti Meta do të lirohet nga qelia.
“Mua më dalin bastet, do ta shikoni. Këtu do të jemi. Dakord?!”, deklaroi Cakrani.
Sjellim ndërmend se javën e kaluar, gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli shqyrtimin e dosjes.
Kujtojmë se më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme ka çuar në gjyq Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, ndaj të cilëve rëndojnë tre akuza, ato të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim
SPAK thotë se hetimet për Metën dhe Kryemadhin kanë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik.











