Si sot 20 vite më parë Shqipëria do të triumfonte ndaj kombëtares greke, e cila vetëm dy muaj më parë ishte shpallur fituese e Europianit në Portugali.
Një datë që ka për të mbetur thellë në memorien e gjithë sportdashësve shqiptar.
Pikërisht për shkak të kësaj ndeshje, mbeti i vrarë një 20 vjeçar kuksian në Greqi sepse kishte veshur fanellën e kombëtares shqiptare.
Tifo grupi besnik i Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” apo siç njihen si “TKZ”, ka përkujtuar sot djaloshin Gramoz Palushi, i cili po festonte në rrugët e ishullit Zakinthos bashkë me disa emigrantë të tjerë shqiptarë, veprim që solli nervozizëm te vendasit.
Emigrantët u sulmuan nga një grup prej 4-6 personazh me armë të ftohta.
Me anë të një postimi në faqen zyrtare, tifogrupi ka postuar foton e Gramoz Palushit dhe e shoqëron dhe me shkrimin “Gjithmonë me ne, Gramoz!”, duke përkujtuar kështu të ndjerin.
Gramozi sot do të ishte 40 vjeç. Ai iku pa e ditur se ajo fitore ishte vetëm një gur në suksesin që do të vinte më vonë.
Shqipëri 2-1 Greqi
Greqia vinte në “Qemal Stafa” si kampione e Evropës, pasi kishte mposhtur në finale Portugalinë.
Ishim ndeshur edhe më parë, por kjo përballje kishte shijen e një derbi ballkanik, aq shumë e ndjerë dhe të pritur.
Atmosfera në Tiranë atë ditë ishte elektrizuese, ku mijëra njerëz kishin ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Disa prej tyre kishin blerë biletë në tregun e zi, duke paguar trefish. Për herë të parë kryeqyteti ishte shumë i vogël për të përballuar tifozët e shumtë. Që në orët e para të mëngjesit turma të mëdha njerëzish kishin mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës . Festa ishte e madhe në mbarë Shqipërinë, me pankartën “This is not Portugal” që u bë hit.
Entuziazmi ishte aq i madh, sa në 10 minutat e para, kampionët e Evropës ndëshkohen 2 herë. Fillimisht Murati dhe më pas një silurë e Aliaj-t bënë që të shpërthente vullkani ‘’Qemal Stafa’’.
Shqipëria fitoi me rezultatin 2-1, një fitore që u festua anembanë botës, por kjo datë nuk do të kujtohet vetëm për këtë ndeshje të fituar nga kuqezinjtë. Pikërisht për shkak të kësaj ndeshje, mbeti i vrarë një tifoz shqiptar në Greqi.
Prej asaj kohe, Shqipëria ka arritur të kualifikohet në dy evente të mëdha të futbollit Europian, në Francë 2016 dhe Gjermani 2024.
Edhe pse kanë kaluar 15 vite, 4 shtatori i vitit 2004 nuk do harrohet kurrë edhe për shkak të kësaj ngjarjeje të rëndë, ku ksenofobia greke kishte triumfuar.
Tashmë emri i Gramoz Palushit është i gdhendur në muret e një shkolle që mban emrin e tij prej vitesh.
/a.r