Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri deklaroi të hënën se, zhvillimi i industrisë minerare është me rëndësi të veçantë për ekonominë kombëtare, dhe qeveria do të adresojë masa për të mbështetur biznesin e këtij sektori.
Gjatë një takimi në ambientet e ministrisë me përfaqësues të bizneseve që veprojnë në industrinë minerare në vend, ministri Gjiknuri theksoi se, institucioni ka ndërmarrë disa iniciativa për t’u ardhur në ndihmë subjekteve që operojnë në këtë industri.
“Ne do të shohim lehtësira nga pikëpamja financiare, në mënyrë që të mos rëndohet ky sektor”, tha ministri Gjiknuri, ndërsa theksoi se “pa prodhim minerar nuk ka të ardhura”.
Duke u ndalur në perspektivën e zhvillimit të këtij sektori dhe vëmendjen që do të marrë nga institucionet, kreu i Energjitikës, tha se “ne kërkojmë garanci të lartë investimesh në miniera, me qëllim zhvillimin e industrisë minerare sipas standardeve. Por rëndësi kanë edhe lejet mjedisore, respektimi i ekomjedisit dhe natyrës”.
“Sot industria minerare po punon me kapacitete të plota ndonëse ka ardhur momenti për një impuls për ta bërë këtë industri me cilësi më të mirë”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri vuri në dukje se “në një situatë të vështirë është bakri, për shkak të rënies së çmimit në tregjet ndërkombëtare, që ka ndikuar në të gjitha proçeset dhe kostot për industrinë minerare”.