Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri shoqëruar nga deputeti Vullnet Sinaj zhvilluan një takim elektoral me banorët e Selenicës ku prezantuan kandidatin për kryebashkiak Pëllumb Binaj.
Deputeti Vullnet Sinaj u tha qytetarëve se është momenti i duhur që kjo njësi vendore të rikthehet në drejtim të Partisë Socialiste.
“Në demokraci ka vetëm një vendim dhe vendimin e jep sovrani nëpërmjet votës së tij. Në asnjë mënyrë tjetër nuk merret pushteti. Në Bashkinë e Selenicës edhe lekët që ka dhënë qeveria nuk janë investuar siç duhet. Këto janë arsye vërtet të forta që ne duhet ta përmbysim këtë bashki”, theksoi deputeti Sinaj.
Kandidati Binaj premtoi investime në infrastrukturën arsimore dhe atë shëndetësore të kësaj njësie vendore.
“Për të ndërtuar më shumë rrugë, për të ngritur më shumë shkolla, për të sjellë ujin e pijshëm në çdo fshat, për të krijuar kushtet e duhura për biznesin e vogël, për të rritur mirëqenien në çdo familje. Të vazhdojmë tu tregojmë këtyre njerëzve të mrekullueshëm të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe ajo është se kundërshtarët tanë nuk futen në zgjedhje se kanë frikë nga humbja”, u shpreh Binaj.
Drejtuesi politik i socialistëve për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri komentoi edhe zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimet e opozitës.
“Nuk e zgjedh dot ekipin e kundërshtarit. Keni parë përshembull ju në ndonjë ndeshje që të hysh në lojë me Barcelonën dhe ti thuash nuk dua Mesin në fushë, nuk dua këtë e nuk dua atë?! Si mund ti heqësh lojtarët ashtu? Thotë Kryeministrin nuk e dua, Damian Gjiknurin nuk e dua. Ai do të rrafshojë gjithë lidershipin e Partisë Socialiste pastaj të hyjë në garë”, nënvizoi Gjiknuri.
Më tej, ai tha se Partia Socialiste votohet masivisht pasi mban premtimet dhe një i tillë është dhe ndërtimi i Rrugës së Lumit të Vlorës që tanimë po bëhet realitet./l.m