Atletika ka pasur problemet dhe vështirësitë e saj gjatë këtyre viteve, por një grusht atletësh cilësorë, me rezultate të larta kombëtare e ndërkombëtare, kanë mundur ta tërheqin vëmendjen e duhur, për t’i dhënë atletikës shqiptare atë shkëlqim të domosdoshëm sa për të qenë një sport elitar dhe një sport që ka nevojë më shumë se kurrë për investime të mëdha. Problemi i saj gjatë viteve të fundit ka qenë mungesa e pistës në kryeqytet, pasi pista e mëparshme që ishte në stadiumin “Qemal Stafa” u dëmtua dhe sportistët elitarë detyroheshin të stërviteshin në pistën e stadiumit të Elbasanit. Por pista në Tiranë po bëhet, me insistimin e veçantë të kryebashkiakut Erjon Veliaj, madje pista po përgatitet që të njihet edhe për garat ndërkombëtare nga federata europiane. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, na informon mbi ecurinë e punimeve në pistë dhe për pritshmëritë e atletikës shqiptare gjatë këtij viti.
– Pista ka qenë një gangrenë për atletikën shqiptare gjatë viteve të fundit. Po ndërtohet një pistë e re në Tiranë, por askush s’di të thotë se cilat janë standardet e saj e në ç’fazë janë punimet. Në cilësinë e presidentit të federatës, si paraqitet e vërteta rreth pistës?
Siç e dini ne kemi nisur një pistë tjetër në Tiranë, krejt të re, pranë kodrave të Liqenit në kryeqytet. Në të vërtetë kjo pistë në fillimet e saj u nis vetëm për stërvitje, por me gjendjen e tanishme dhe me punën që është bërë dhe do të bëhet pista do të marrë çertifikim ndërkombëtar. Pra, pista e re do të jetë e standardeve europiane dhe duke qenë në këto standarde ajo mund të presë aktivitete.
– Njihet brenda komunitetit të atletikës entuziazmi juaj në të tilla çështje, por këtu fjalën nuk e thotë Federata Shqiptare e Atletikës, por Bashkia e Tiranës që është edhe ndërtuesja e saj. Prandaj vlera dhe pesha e fjalës në këtë rast qëndrojnë tek bashkia. Cili ka qenë qëndrimi i saj?
Ju siguroj që ka bashkëpunim të shkëlqyer mes nesh e bashkisë dhe punët po shkojnë në drejtimin e duhur. Kryetari i bashkisë në fillim nuk e dinte se kjo do të dalë një kryevepër, por merita e tij është se hodhi buxhet që pista jo vetëm të bëhet, por të plotësojë standardet dhe këtu qëndron puna thelbësore e bashkisë dhe merita e Erjon Veliajt. Ishte vetë kryebashkiaku që tha të kishim një pistë që të ishte e denjë për të pritur aktivitete edhe për të huajt, prandaj kam nderin ta them në këtë moment që: nuk kemi luksin të kemi vetëm një pistë vrapimi, por një pistë atletike që do të presë mitingje ndërkombëtare.
– Në çfarë stadi është pista tani, domethënë deri ku kanë avancuar punimet?
Drenazhimi është bërë, u shtrua këndi i hedhjeve, do të ketë banjo dhe dhoma për zhveshjet, një magazinë për vendosjen e bazës materiale, si dhe një minishkallë për të pritur 500-600 spektatorë. Ky e përmbush standardin për të pritur gara serioze, deri në mitingje ndërkombëtare. Problem është se duhet shtuar buxheti.
– Kur do të jetë gati pista të presë aktivitete? Desha të them, kur do ta inauguroni?
Mendojmë se në qershor do të jetë gati. Duhet të kuptojnë të gjithë se janë disa procedura teknike fizike që kërkojnë kohën e vet. Psh., vendosja e tartanit kërkon temperatura afro 20-22 gradë celcius, disa teknika të tjera kërkojnë kohën e përshtatshme etj. Prandaj them që qershori do të na gjejë përfundimisht me pistë të re, e cila do të jetë edhe me standarde ndërkombëtare.
– Sa mendoni se do ta zgjidhë problemin e atletikës shqiptare?
Jashtëzakonisht shumë. Mendoj se do të jetë një zgjidhje jo vetëm e tanishme por edhe në perspektivë. Mendoni për një moment sa kemi vuajtur gjatë kësaj kohe me sportistët që shkonin deri në Elbasan për të bërë stërvitje! Kurse tani jo vetëm stërvitjen do ta bëjmë në Tiranë, por edhe garat do t’i bëjmë në pistën e re. Kjo është diçka e mrekullueshme për atletikën shqiptare. Edhe klima që disponon vendi ku ndërtohet pista është nga më të mirat dhe kjo e shton më tej vlerën e saj.
– Një nga problemet e atletikës është buxheti i pamjaftueshëm. Në fakt, sporti në tërësi po vuan mungesën e investimeve. Shifrat që janë përmendur së fundmi të dhëna për sportin janë thuajse qesharake. Federatat shumica heshtin. Si paraqitet situata për atletikën?
Nuk është tamam kështu. Zëri i të gjitha federatave dhe presidentëve ka shkuar në veshin e qeverisë. Ajo që na duhet është domosdoshmëria të kemi resurse ekonomike, që të mos llogarisim qindarkat, por të rrisim federatën me punonjës dhe me investime. Buxheti për sportin në Shqipëri duhet të jetë 20 milionë euro, në mënyrë që të rritet cilësia dhe të bëhen projekte rezultateve. Po të ishte 20 milionë euro buxheti për sportin do të kishim projekte me resurse ekonomike. Dhe resurset ekonomike ekzistojnë, sepse në Shqipëri operojnë 160 mijë biznese, shumica e tyre janë të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm e të gatshëm të financojnë në sport. E vërteta është se këto biznese duhet të paguajnë për sportin, sepse nëpërmjet sportit bëhet reklamë. Mjafton një reklamë “Duhani vret”, varur në bluza apo forma të tjera që të paguhet për sportin. Pra, ka mënyra për të arritur një dimension më të madh financimi.
– Cilat janë pritshmëritë e federatës që drejtoni përgjatë këtij viti?
Pritshmëritë tona bazohen në rezultatet e larta të tre atletëve, me të cilët synojmë të sjellim, pse jo, medalje ndërkombëtare. Nuk e fsheh që jam optimist, pasi i njoh sportistët, i di kapacitetet e tyre dhe natyrisht e di si qëndrojnë këto rezultate në rang ndërkombëtar. Kemi Luiza Gegën, Izmir Smajlajn dhe Franko Burrajn, që mendoj se kanë cilësi të tillë që na sjellin medalje ndërkombëtare. Synimi kryesor janë rekordet kombëtare. Mos harroni, Luiza Gega është “bleta punëtore” e atletikës shqiptare. Synimet e saj në 300 m (me dhe pa pengesa) dhe 1500 m janë shumë të mëdha. Smajlaj është nivel i lartë europian i kërcimit së gjati, kurse me Burrajn kemi pretendime në 400 m. Aktivitetet kryesore ku pretendojmë janë Lojërat Mesdhetare, Europiani e Botërori, por edhe liga e shteteve të vogla (Small States League) etj. Europiani do të zhvillohet në Mynih në muajin gusht dhe aty kemi shpresë se mund të bëjmë diçka të mirë këtë vit.
– Këtë vit janë Lojërat Mesdhetare. Për sportistët tanë ata kanë qenë gjithmonë një mundësi. Sa shanse kemi?
Lojërat Mesdhetare të këtij viti do të zhvillohen në Algjeri. Padyshim që janë një veprimtari sportive ndërkombëtare e rëndësishme për ne. Ky është dhe një shans për një vend mesdhetar si yni. Dëshira është të çojmë shumë sportistë por atletika edhe këtu është me normë, kështu që do të shkojnë sportistët elitarë, ata që kanë rezultate. Përveç sportistëve kryesorë mendoj se do të çojmë edhe Valikajn, i cili ka pasur rezultate premtuese në kërcim së gjati. Po bëjmë përpjekje të natyralizojmë nëpërmjet pasaportës një sportist nga Kosova, që garon në kërcim së larti e së gjati. Nuk mund të them se atletika shqiptare është qendra e sportit botëror, por nuk po qëndrojmë në vendnumëro, po bëjmë përpjekje brenda kushteve që kemi të regjistrojmë rezultate të larta dhe t’i japim atletikës frymëmarrjen e duhur dhe perspektivën e duhur.
– T’i kthehemi investimit të pistës nga Bashkia Tiranë dhe njëherësh investimit që ka bërë ajo për sportistët e klubit Tirana. Duket se në Shqipëri sikur vetëm Bashkia e Tiranës mban sportin gjallë, ku janë klubet e tjera?
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është një strukturë e rëndësishme e sportit që ka ndikim të drejtpërdrejtë në këtë drejtim dhe po bën më të mirën të jetë afër sportistëve. Sa i takon Bashkisë së Tiranës, është meritë drejtpërdrejt e Erjon Veliajt që i ka mbështetur me projekte konkrete sportistët dhe federatat sportive, duke i financuar dhe për këtë meriton respekt maksimal. Erjon Veliaj i jep frymëmarrje sportit në kryeqytet. Ai është një timonier i shkëlqyer, mund të them një kapiten i madh i një anijeje që lundron në ujëra të vështira e me dallgë të mëdha, por e aftë të lundrojë edhe në oqeane. Bashkia e Tiranës paguan shumë sportistë sot dhe sidomos sportistët me rezultate të larta, duke u dhënë një shpresë në vendin e tyre, prandaj unë e falënderoj pa masë kryetarin Veliaj, roli i të cilit në pistën tonë të atletikës është thelbësor.
/a.r











