Gjenden mbetje mortore të së paku 23 personave në tri lokacione në komunën e Zubin Potok. Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka sqaruar se në lokacionin e parë në varrin masiv në Kalludër, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave; në lokacionin e dytë, në Jabukë, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku katër personave; ndërsa në lokacionin e tretë në Kalludër janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të së paku gjashtë personave.
Teksa ka deklaruar se tashmë ka nisur faza e identifikimit të mbetjeve mortore, Kurti theksoi se numri 23 përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve” të cilët u rrëmbyen dhe pushkatuan nga forcat serbe më 19 prill të 1999.
“Numri 23 përkon me atë që njihet si grupi i intelektualëve, të cilët më 19 prill të vitit 1999 u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal. Por procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe bashkë me familjet t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”, tha Kurti.
Mostrat e mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin katër personave të gjetur në Jabukë janë dërguar për analizë të ADN-së, ndërsa për pjesën tjetër po vazhdojnë ekzaminimet paraprake në Institutin e Mjekësisë Ligjore.











