Pedagogu dhe publicisti Agron Gjekmarkaj, në një intervistë në MAPO, për betejën e pedagogëve dhe studentëve, për qeverisjen, për ndryshimet në PD, për debatet e ditës dhe intelektualët në vend
Agron Gjekmarkaj është një pedagog dhe intelektual i angazhuar në jetën publike. Prezent me editoriale dhe në studio televizive, ai është një vëzhgues i hollë i ngjarjeve politike dhe zhvillimeve në shoqëri. Së fundmi, ka qenë në radhën e parë në betejën që po bëhet për arsimin e lartë. Në një intervistë për MAPO, ai analizon shumë prej shqetësimeve që po kalon vendi. Çfarë do të ndodhë me ultimatumin e pedagogëve ndaj Ramës, qeverisjen dhe ato çfarë u panë së fundmi në partinë më të madhe në opozitë. Parashikimi se kush do t’i fitonte zgjedhjet po të mbaheshin sot, dhe një vështrim mbi qëndrimin e intelektualëve të vendit dhe rolin e tyre.
Z.Gjekmarkaj, jemi në këtë fundjanar të 2019. Në ç’kohë po jetojmë, si vend, si shoqëri. Çfarë lamë pas në 2018, dhe ku po shkojmë?
Pyetje tejet e vështirë gati në kufijtë e së pamundurës. E përjashtoj vetën nga grupet e atyre që ngjiten në aso lartësish e nga ku gjykojnë kohën, shoqërinë apo vendin. Përpiqem të rri afër tokës, të ec me këmbë, të përdor distancën e syrit dhe masën e hapit në raport me të përditshmen, mes dëshirave dhe mundësive, me shqisa të ngritura në pikëprerjen e aktualitetit me historinë, si pedagog e publicist të nxjerr gjykimet e mia që shpesh mund të jenë subjektive. Unë e kam të shtrenjtë subjektivitetin dhe gjykimit nuk i shmangem. Në këtë kontekst, viti 2018 personalisht më është dukur i lodhshëm, i vjetruar, një batakçi vit. Më kujtohet gjithnjë e më shpesh një pasazh nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, teksa të lidhur i shëtisnin rrugëve të qytetit, At Gjon Shllakun, At Gjon Faustin dhe At Daniel Dajanin. Njerëzia i shante dhe pështynte, e kësisoj Frati i Kujtimeve, Pllumi, ai jo unë se nuk e kam tagrin, arrin në konkluzionin “një popull kaq i vogël me kaq shumë rrugaça”. Sallahani e shakllabani është një atlet i vërtetë për nga natyra. Ai arrin shumë më përpara të tjerëve në atë cak që njeriu i zakonshëm ka droje edhe ta ëndërrojë. Gjatë vitit 2018, vrapi i tyre ka qenë mbresëlënës. Gjithmonë nga poshtë e me përunjësi, si individ, do ta përkufizoja si viti i demagogëve analfabetë e surratqerepa dhe hajdutëve barkllastik. Me gjasë më të azdisur do të jenë në galop përgjatë vitit 2019. Por kalit mund t’i dridhen këmbët.
Pas 3 ditësh skadon afati që i keni lënë qeverisë për plotësimin e kërkesave tuaja, si pedagogë, përndryshe do shpallni grevë të përgjithshme. Pse, ky kërcënim që do trondiste çdo vend normal, këtu ngjan si një nga lajmet e ditës?
Pedagogët, trupa akademike e Universitetit Publik janë njerëzit më të përkorë e më paqësorë të shoqërisë sonë, që të merr gjak në vetull me politikën në krye. Ata janë njerëzit më të keqpaguar në Shqipëri duke patur parasysh punën e madhe që bëjnë. Shpesh, merren nëpër gojë e fyhen pa të drejtë. Kryeministri aktual është kampioni i gojështhurjes ndaj tyre. Protesta e studentëve nxori në pah tragjedinë e universiteteve shqiptare të cilën e ka paralajmëruar vite me parë Forumi për Liri Akademike me profesorët e nderuar Artan Fuga, Mark Marku e disa të tjerë. Qeveria e Edi Ramës me shumë arrogancë, konceptoi dhe miratoi një ligj klientelist për arsimin e lartë, pa marrë parasysh asnjë vërejtje të botës akademike, në bashkëpunim me kastën e korruptuar të universiteteve, të cilëve, u garantoi mundësi rizgjedhjeje. Universiteti Publik këtë ligj e ka përjetuar si dhunë e për më tepër, pikërisht ky ligj e ka futur në kolaps shkollën e lartë shqiptare. Tani është koha për një tjetër ligj të realizuar me të gjithë faktorët jo vetëm me ata që rrinë në paradhomën e Kryeministrit.
Gjithashtu, disa prej VKM-ve të kohëve të fundit i japin goditjen fatale autonomisë universitare. Ishte koha që pedagogët të flisnin. Ata në mënyrë historike, duke aplikuar demokracinë, u vetëmblodhën në një asamble të madhe. Asnjëri prej nesh nuk e do grevën, por, asnjëri prej nesh nuk do t’i shmanget asaj nëse qeveria vazhdon në rrugën e saj të dashur, arrogancën. Po kaq na duket e pavend që zonja Besa Shahini, të cilës nuk ia njohim profesionin, të na gjykojë inteligjencën ne pedagogëve të Universitetit Publik në sallone mediatike.
Si do shkojë çështja e arsimit në vend, e universitetit, a ka një zgjidhje ky problem i madh i vendit?
Po, çdo gjë e ka një zgjidhje. Së pari, qeveria të shprehë vullnetin për t’u tërhequr nga ky ligj dhe për të hapur procesin për një ligj të ri, i cili duhet të realizohet nëpërmjet një pakti kombëtar, qeveri, opozitë, botë akademike dhe student. Të rritet buxheti për arsimin dhe të përcaktohet statusi i pedagogut. Pedagogët e Shqipërisë meritojnë të kenë rroga sa ata të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. I kemi tre herë më të vogla. Si fillim, duhen plotësuar kërkesat aktuale të studentëve, si dhe duhet të hiqet dorë një herë e përgjithmonë nga eksperimentet banale në drejtimin e Ministrisë së Arsimit. Në krye të saj, duhen eminenca që e njohin prej s’vërteti arsimin, historinë, të tashmen e mbi të gjitha, që kanë qartësi për të nesërmen. Shqipëria ka dhe do të ketë fytyrën e shkollës së vet. Nuk mendoj që duket si lajm dite. Them se deri diku i ka tronditur vendimmarrësit, por edhe shqiptarët. Të shohim.
Çfarë parashikimi keni për zhvillimet politike. Si mendoni se po reziston një qeveri, e cila në çdo rrafsh ngjan se jo vetëm nuk gëzon konsensusin e njerëzve, por përkundrazi, mallkohet çdo ditë në çdo drejtim?
Zhvillimet politike janë mbresëlënëse në një këndvështrim, të shumta, të vrullshme, me tonalitet. Kur duken dramatike janë banale e kur shfaqen si banale janë dramatike. Banaliteti ka uzurpuar klasën politike e në veçanti qeverisjen. Kësaj qeverie po i ikën populli. Protestojnë studentët, pedagogët, artistët, njerëzit që u rrezikohet shtëpia, plasin skandalet sa hap e mbyll sytë, korrupsioni është padroni i piacës publike, ndërrohen ministrat si rojet e turnit, ndërsa Kryeministri na thotë një frazë të çuditshme nga pikëpamja logjike: “Ne nuk jemi më të mirët, po më të mirë se ne nuk ka”! Me gjasë, edhe Taulant Balla nuk e kupton bash mirë, paçka se duartroket. Duhet që më të mirët të bëhen bashkë pa frikë, me kurajo, përndryshe do na bëhet si ninullë kjo frazë idiote për shumë kohë. Në Shqipëri, ka elitë dhe njerëz që mund të marrin përgjegjësi. Mbi të gjitha, në Shqipëri ka ende njerëz dhe intelektualë të ndershëm, por i kanë lidhur për bukën e gojës. Frika e humbjes së saj, është shndërruar në depersonalizuese. Me këtë luan pushteti dhe me sejmenët lokalë që ushtrojnë dhunti të veçanta. Misteri i frikës e mban në këmbë. Këto janë mistere të përkohshme, aspak religjioze. Këtë e di edhe Edi Rama. Studentët e mposhtën frikën, pas tyre po vijnë të tjerët.
A do kemi zgjedhje lokale, apo zgjedhje lokale e politike bashkë. Dhe në çdo rast, kush i fiton ato?
Nëse do të kishim zgjedhje politike tani, me siguri ato i fiton opozita. Po besoj që do të kemi zgjedhje lokale, nuk di të them, ende herët nëse ato do të bëhen në ditën e caktuar apo do të shtyhen. Opozita ka premtuar protesta pa kthim. Të shohim sa dhe si do ta kushtëzojnë ato qeverinë.
Ngjarjet në PD duket se tërheqin vëmendjen dhe pasionin tuaj. Ju nuk keni kursyer kritika për qeverinë, por po aq, nuk jeni kursyer asnjë moment në goditjet e forta ndaj PD, me qesëndi, ironi, e cinizëm shpesh. Jo rrallë, ndaj kryetarit të saj Basha. Ku po shkon kjo parti, dhe pse ngjan se ju keni diçka personale me këtë forcë politike e liderin e saj?
Po, nuk e fsheh që më tërheqin zhvillimet te PD. Kjo është një parti që unë e kam votuar, disa herë nga qejfi e herë të tjera nga halli. Ajo lindi në dhjetor ‘90 si një parti ku statusi i intelektualit ishte themelor. Sot, ky status është i diskutueshëm. PD i ka bërë shërbime të vyera vendit dhe është aset i madh kombëtar. Natyrisht, ajo ka përgjegjësi të mëdha, e faje po kaq, për shumë rrëzime e ngecje. Unë jam i djathtë, e nuk e kam fshehur kurrë këtë bindje. Nuk pres, e as kam nevojë që këtë të ma certifikojë Lulzim Basha. Kritikat e mia kanë qenë gjithmonë nga e djathta, nga analiza se: PD ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Asgjë personale s’kam patur e as nuk kam. Ka disa muaj që unë i kam lënë mënjanë kritikat ndaj Bashës dhe PD-së, sepse nuk janë ata problemi, nuk po qeveris Basha. Po na qeveris qeveria e Edi Ramës e po na qeveris aq keq sa nuk bëhet. Së fundmi, Basha ka shfaqur shenja reflektimi në kompozimin e sekretariatit dhe të kryesisë së re. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, një jurist brilant me një logjikë të fortë politike, më duket ndryshim që duhet përgëzuar. Rikthimi i Tomor Alizotit po kaq. Emërimi i Bujar Nishanit në krye të Këshillit Kombëtar, është një tjetër moment që tregon se logjika politike po triumfon përballë shijeve personale. Unë jam nga ata që nuk i druhet përmendjes së emrave. Vota për Tomor Alizotin dhe Jorida Tabakun në Këshill Kombëtar, si votë për të përndjekurit dhe ish-pronarët, e këshillojnë Bashën të shohë më djathtas. Mund të thuhet që Kryesia e tij tanimë është normale pa spikama të mëdha intelektualiteti, por normale. Në të, PD ka disa kandidatë të mirë për ministra. Natyrisht 2 a 3 idiotë ia kanë dalë të përfshihen. Siç i thoshte avokat Ngjela në vitin 2005 një rioshi në Kop, ti je idiot dhe për këtë do bësh karrierë, e në fakt ai bëri, dhe deri vonë i shkoi mbroth, por kësaj radhe nuk ia mbërriti të hyjë në kupolë. Prapë, nuk është çudi që triumfi i tyre të jetë i pandalshëm. Por, sa më sipër, çka ndodhi, nuk mjafton. Basha dhe PD e kanë jetik paktin e madh me elitën e vendit. Hapjen pa komplekse. Basha duhet t’i mundë zërat që thonë se ai nuk i duron afër personalitetet e forta. Lulzim Basha do, dhe mund të jetë, një Kryeministër normal.
A mendoni se gjithë vëmendjen në vend e merr politika, dhe pak intelektualë i sheh të angazhuar në tema të letrave, të historisë, të krijimtarisë. Në përgjithësi, a mendoni se debatohet sot për sot për ngjarjen e ditës, dhe nuk ka mëtim për idetë, për mendimin…?
Po politika nuk po na vjedh vetëm në ekonomi, por edhe në kohë e sentimente, duke ndikuar në shpirt e mendje. Institucionet e kulturës janë shndërruar në bori propagande. Qeverisë dhe pushtetit i intereson ta zhbëjë kultin e intelektualit. A e keni venë re që Kryeministri i tall dhe përqesh sepse para tyre ndihet keq, i varfër në kulturë dhe ide. Shpesh, pushteti përpiqet të përcaktojë hierarkitë shoqërore. Kush është intelektual i zoti dhe i pazoti, i mirë apo i keq…kazan apo gotë…lugë apo pjatë….shikoni sjelljen ndaj universitetit dhe pedagogëve për ta kuptuar më qartë sjelljen. Por, në vend ka një shtresë krijuesish që nuk bëzajnë, që janë indiferent ndaj dukjes, që shkruajnë e krijojnë, shumë e gjejnë veten jashtë Shqipërie se këtu suksesi nuk kapërdihet lehtë nga tjetri….është dialektike, mendimi intelektual në çdo rrethanë shndërrohet në gjykatës për pushtetin. Kjo është betejë mbijetese. Në raport me momentin, e fiton pushteti, Rama, Taulanti, Besa, Gent Cakaj, ndërsa me historinë e fitojnë mendjet e iluminuara. Njeriu i zakonshëm është në të drejtën e tij ta kërkojë shëlbimin tani, që do të thotë; mirëqenie, standarde, demokraci.
/a.rada