• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, November 5, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Gjekmarkaj i bën ‘skanerin’ me satirë seancës parlamentare: Aq shumë i kishte munguar ajo lanete, Babo e priti Mamicën me lule e çokollata!

by A. Q
19/09/2026 12:09
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Agron Gjekmarkaj

Kronika bën inventarin, mbledh nektarin dhe shpërndan vrerin!

Pa e marrë mirë veten nga largimi prej qeverisë të një personaliteti poliedrik si Pirro Dëngu, ecja e mendueshme e të cilit dhe vështrimi ndaj horizontit na lanë mbresa të pashlyeshme, si gjëmë na këputi dëbimi i Lameqyqes dhe çmeritja e tij!

Thonë që Etilda atje në konak të Kryeministrisë çorri faqet, por shpejt kishte mbledhur veten e i kishte bërë një kafe pa sheqer që të shtrëngonte midenë e mos të zalisej në divanin e Babos sa të mbaronte xhirimi i agjitpropit!

Ministri i ri i Rendit, Demir Demo, ia di kimene ta pësosh nga krimi i organizuar, ndaj do i bëjë luftë të madhe atij!

Gojët e liga, që u shofshin e kripë ngrënshin gjithmonë, thonë që edhe një javë më pas, ngaqë është topolak, i mbetën shenjat e dackave nëpër faqe dhe të shkelmave në tule, atëherë kur e darovitën në zyrë fshatçe! Janë harbutër, more! Kanë dorë të rëndë, dreqërit!

Tani do ulet afër Gonxhes dhe, si dy mzeter, do tërheqin parmendën e qeverisë! Babua do i cyse pakëz me hosten në të prapme!

Lozonjari Sofjan, me mungesën e gjatë, i ka madhëngjyer disa, natyrisht jo burrat allçak si Termeja!!!

Qefserja rri e pajetë dhe e murosur, askush nuk e di pse është në Qeveri, ajo vetë jo e jo, por as Babo, i cili me gjasë ka dashur të shkaktojë një habi duke dekurajuar kuriozët në zbërthimin e këtij labirinthi logjik!

Klodi Spaqia u vuvos në interpelancën e parë, skuqej, lebetitej, fliste përçart e ngrata, i jepte urdhra Evis Kushit, përjashto atë, largo këtë, sillmë ujë se plasa, lëshonte piskama, kërkonte ndihmë, ikte, vinte, djersitej, uf e buf! Kur doli nga salla, për fat, Pendavia, i merakosur, me një erashkë të madhe i bënte fresk dhe i frynte nga pak që t’i binte ndezullia!!!

Zeniqeja, edhe pse mori një kompliment ashtu trashë, le të themi derrçe, për këmbët nga gazetarët apo gardistët, ka një shpërthim nuri, sa Antoneta Dyfeku ka kaluar në hije me bikotinat e veta!

Dilo Nasufi ngjan me Diogjenin. Nufi me një peshëngritës amator!

Tezja po jeton një periudhë rehatie, po gjithsesi, kur doli në foltore, i hoqi tapën faqores, e tërhoqi nja dy herë, një tuuup u dëgjua në ajër, një llek, llek, llek e pastaj fshiu buzët dhe lëshoi një eh kënaqësie e sigurie!

Tani që kaloi gushtin, sikur nuk i bën dëm si më parë as në kokë, as në stomak!!

Na kënaqi lanetja me shikime të zgjatura, mbushur me habi, mister e qortim, me flokët që i mblidhte topuz me dorë dhe pastaj, si turtulleshe adoleshente, lëshonte nektar në arat e mërzisë me lëvizjet sensuale të kokës, shoqëruar me pulitje qerpikësh, ku delikatesa dhe sharmi bashkoheshin në një, krejt si proshuta e djathi në panine!

Klosi i kishte sytë kapuç! Ulesia ngroh duart në çdo zjarr që ndizet, kafshonte buzët që në sabah dhe bënte shenja e shiharete! Nën zë tha: aman, mos e ngacmoni, e ka gdhirë mbrëmë, lëreni aman, ka humbur shumë, por xhani i donte të kundërtën.

Fatmir Xhafa, nëna e reformës në drejtësi sipas Starzimirit, se babe kishte caktuar Aurela Anastasin si një dollibash pa shishe, përpiqej t’u mbushte gotën edhe magjistratëve, edhe qeverisë!

Sypetrit Malaj kishte ethe dhe mornica gjithë kohën! Delina Brahimi i vinte një pecë të lagur me ufuth, herë pas here, te koka dhe fap i rraste një aspirine në gojë!

Lajmi që Mamica ka takuar Babon e thirrur prej tij në zyrë, e shoqëruar nga Tao si dëshmitar, por dhe si lajmës që llafi të përhapej me masë, e ka ndryshuar qamet situatën!

Thonë që Babos, për herë të parë, i është lagur e qullur mjekrra nga malli, aq shumë i kishte munguar ajo lanete! E kishte pritur Mamicën me lule e çokollata!

Teksa Mamica fliste, ai i kishte bërë edhe një portret, ku flokët ia kishte nakatosur si litarë e nyje ku të mbetet shpirti i varur!

Socialistët prisnin në radhë tani për të pirë një kafe me Mamicën, por ajo zgjodhi “Kronikën”, që e ka mëkuar, mbajtur si në gji të Krishtit e mbrojtur nga syri i keq në këto kohë jallane!

Vetë Bledion Nallbaja, me të marrë lajmin, i kishte dhënë fund eremitizmit!

Ai kishte ndezur zjarrin në gji, ndaj filloi përsëri poteren, zallamahinë kundër qeverisë! I zhgënjyer, pasi kishte shpresuar që Mamica do ndahej nga tufa dhe ai, si ujk i vjetër, do bënte kërdi, tani ndjellte hatane!

Ervin Hoxhes i eci mbarë, më në fund u kujtuan për atë çamarrok e caktuan në grupin e miqësisë me Korenë e Veriut! Haberri shkaktoi të qeshura, por ai ishte i emocionuar dhe e mori si shenjë ringjalljeje! Qesh mirë kush qesh i fundit, u mejtua!

Pritet që Damon ta caktojnë në atë të Jemenit!

Bora ka rënë në të thella, bashkë me Iglin bëjnë muhabete mistike për temjanin, djallin e të birin! Ngjajnë si dy klerikë të braktisur nga Kisha!

Olta dhe Ogi i janë rikthyer vetëdijes popullore, tabanit, meditojnë dhe shohin filxhan!

Kryezevend Lideri Hyqymeti Flamur, gjithnjë e më serioz e hijerëndë, siç i ka hije, qortoi “Kronikën” për hallakatje, dalje nga tema politike e ditës dhe mesazh të shpërqendruar! Mbajtëm shënim dhe i thamë aferim! Duart i këpusim, qejfin nuk ia prishim.

Aty nga pasditja, meqenëse protestuesit na kishin bllokuar furnizmet me byrek e llallë që drejtoria e shërbimeve na i shet katër herë më shtrenjtë se tregu, Tao kishte uri çakalli!

Erjo Mile, emri i të cilit u fiksua pas një viti si një akçi i mbaruar, ia gjeti anën e solli tre shporta plot me sallam, shishqebap, djathë, qepë e copa kukureci! I hapën aty në mes të vendit!

Erjon Malajt, hamesit, i lexohej padurimi dhe nepsi, ndërkohë mbante një thupër që të gjuante Erjon Braçen, i cili kërkonte një çaçkë! Një çaçkë mi një çaçke, po hiç, ata zemrën gur!

Deputetë flisnin, Tao përtypej, i dhanë lugë, pirun, por jo, do ha si populli, tha: mishi e gruaja zihen me dorë!

Të mbushim barkun, rënkoi, u pa puna, Niko lart, ne poshtë, jallane politika!

Brunilda Bakerri e shihte dhe e admironte! Sa fat të jem afër Taos!

Debati që i ashpër dhe i gjatë!

Gazment Bardhi, i cili kishte pirë benzinë, e bëri Babon të ikte nga salla, se i vogli shtrin viganin, se i shtypuri tiranin, do thoshte Noli!

Mos, mor, haram, mos pshretinte Kostaqi nga lozha, mos, mor, katran, mos, si t’i nxë goja ato llafe, si po ia helmon xhanin para se të niset në Amerikë, ai me besë, me pasqyrë, me krehër, me prani, pra ai me bukë e ju me gurë, sytë ju plaçin, hajër mos bëfshi!

Qershia mbi tortë që Jorushi i Tabakeve, ajo si profeti para mbretit, nën dirigjimin e Saimir Koreshit, këndoi himnin e protestës edhe për faktin se Babua e pa në mënyrë të pahijshme: “Babo, jep dorëheqjen”!

Isuf Çela me Xhelal Mziun pinin nga një duhan si njerëz që kanë parë shumë e më tepër do të shohin! Bujar Leskaj shkund “Kronikën” që të dalë nga dembelia dhe të bëhet më e shpeshtë se mezi e pret mileti!”

Next Post
EMRAT/ Krimi i rëndë në familje trondit Tiranën, burri vret me thikë bashkëshorten dhe arratiset! Policia në kërkim, ngjarja në sy të nipit dhe…

EMRAT/ Krimi i rëndë në familje trondit Tiranën, burri vret me thikë bashkëshorten dhe arratiset! Policia në kërkim, ngjarja në sy të nipit dhe...

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqipëria në rrugën drejt BE-së, Marta Kos: Për herë të parë ka nisur realisht mbylljen e kapitujve

“Serbia ka mundësi për fillim të ri”- Marta Kos takohet me listën studentore që fitoi zgjedhjet: Shkëputuni nga praktikat e vjetra!

November 5, 2026
Trump për rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit: Po të isha në fletëvotim, do të kishim fituar!

Zgjedhjet në SHBA, ja pesë arsyet pse republikanët pësuan disfatë të thellë!

November 5, 2026
Gary Kokalari i shkruan Sekretarit të Shtetit, Rubio: SHBA duhet të hetojë Berishën dhe Mediun, të dy ndikuan te ligjvënësit amerikanë!

Gary Kokalari i shkruan Sekretarit të Shtetit, Rubio: SHBA duhet të hetojë Berishën dhe Mediun, të dy ndikuan te ligjvënësit amerikanë!

November 5, 2026
Dorëhiqet presidenti i Paraguait, shkak falimentimi i bankës!

Dorëhiqet presidenti i Paraguait, shkak falimentimi i bankës!

November 5, 2026
Akuzat për tri sulme seksuale, aktori Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim!

Akuzat për tri sulme seksuale, aktori Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim!

November 5, 2026
Liga e Kombeve/ UEFA e bën zyrtare, shuhen shpresat e tifozëve kuqezi! Ndeshja me Bjellorusinë do luhet me dyer të mbyllura

Liga e Kombeve/ UEFA e bën zyrtare, shuhen shpresat e tifozëve kuqezi! Ndeshja me Bjellorusinë do luhet me dyer të mbyllura

November 5, 2026
Suedia në alarm, rikthen kontrollin e kufijve të brendshëm! Shkak lufta e Rusisë dhe situata e sigurisë

Suedia në alarm, rikthen kontrollin e kufijve të brendshëm! Shkak lufta e Rusisë dhe situata e sigurisë

November 5, 2026
Tërheqja e Ronaldos nga Portugalia, reagon trajneri Jorge Jesus: I kërkova të qëndronte, por…

Tërheqja e Ronaldos nga Portugalia, reagon trajneri Jorge Jesus: I kërkova të qëndronte, por…

November 5, 2026
Zjarr masiv brenda një godine në New York, gjashtë persona humbin jetën, raportohet edhe për të plagosur!

Zjarr masiv brenda një godine në New York, gjashtë persona humbin jetën, raportohet edhe për të plagosur!

November 5, 2026
Tirana, një nga destinacionet më të përballueshme në Evropë për vitin 2026

Shifrat/ Kryeqyteti prodhon gati gjysmën e ekonomisë, Kukësi i fundit për PBB-në për frymë! Ja si ndahen të ardhurat (TABELA)

November 5, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In