Ai thotë se ata nuk kanë mbështetje në parti. Por z.Gjana u kujton se: “Kush shkel bukën e shtëpisë, nxjerr sytë”. Ish ministri dhe ish deputeti i PD-së flet edhe për aleancat e reja të PD-së duke mos përjashtuar një të tillë pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe me LSI-në e Ilir Metës. Në këtë rast ai përmend se edhe: Gjermania është detyruar t’u kthehet aleancave me të majtën”.
Z.Gjana ju ishin pjesë e ekipit të madh të opozitës që ndoqi nga afër zgjedhjet në Dibër, por a e ka gjetur PD-ja përgjigjen se përse humbi atje?
Mendoj që po. Ne ishim shumica atje. Edhe unë që pata, si shumë kolegë një zonë në patronazh, e cila ngase demokratët e saj nuk u tunduan ia dolën fitores. Në Kalanë e Dodës fitoi PDja. Të gjithë e kanë parë që atje zgjedhjet u dominuan nga paratë e pista, u dominuan nga pazaret, u dominuan nga individë të inkriminuar, u dominuan nga presioni i pushtetit. Pushteti sajonte për çdo familje një shkelje. Dikush fotografohej te arat me kanabis, dikush problem me dritat, një tjetër me ndërtim pa leje, dikush një çështje të hapur në polici a prokurori, ata në punët e administratës po e po, deri te gjobat për makinat e detyrimet ndaj tatimeve.
Secilit i shkonin “të falat” e pushtetit përmes grupesh të strukturuara politiko-kriminale. E kësisoj nuk ka votë të lirë. Dibra është zonë e madhe rurale, është pellg i madh bujqësor. Por sivjet atje nuk flitej më për bujqësi. Tema ishte kanabisi që rritej nën tytat e armëve të njerëzve me perçe fytyrës. E nën të mbjella me kanabis nuk bëhet fjalë për zgjedhje të lira dhe votim të lirë. Dibra e këtij viti i ngjante asaj të viteve pesëdhjetë kur shteti ua kolektivizoi tokat private e meratë e katundit.
Atëherë pati burra e familje që kundërshtuan. Sivjet ua kishte kolektivizuar shteti bandë dhe askush nuk hapte gojë. Natyrisht të gjitha këto gjetën dhe një strukturë partiake në gjendje gripi. Viroza në këto raste bëhet dhe më e rëndë. Mendoj se riorganizimi partiak atje do merret në analizë dhe do rikthehet në forcën e fitores.
Në “gjendje gripale” janë të gjitha strukturat e PD-së në mbarë vendin?
Nuk mund të them se dega e PD-së së Dibrës është pa struktura. Por pati atje njëlloj përplasje që ka nisur që nga 2015,dhe që për fat të keq ky debat nuk arriti të reduktohej. Nuk është debat parimor, principial, si shumë herë të tjera e si dhe në zona të tjera. Madje si dhe në parti të tjera. Model konflikti allashqiptarçe. Janë debate që kanë të bëjnë me interesat. Secili do të kapë një vend në strukturën e politikes me idenë se përfitimet pastaj vijnë vetë.
Gjithnjë e më shumë po bëhet modë dhe jo vetëm në PD por në të gjitha partitë shqiptare. Duhet të kapësh një vend në strukturat e politikës që pastaj të bëhesh edhe më i mirë, të bëhesh më me emër, jo rrallë të vësh dhe ndonjë para mënjanë. Ka bjerrë shumë idealizmi dhe nuk po shkohet me sistem karriere, së pari, zotësi dhe përgjegjësi për të zhvilluar e pastaj vartësisht me to vendi në hierarki. Është kokëposhtë gjëja më se shumti, lypet vendi më parë se përgjegjësia.
Kështu mendojnë dhe disa anëtarë të grupit parlamentar të PD-së?
Nuk thonë as ndonjë gjë të re e as ndonjë gjë të paditur. Madje ka jo pak dhe nga ata që flasin se njësoj si me sipër janë sjellë, për të mos thënë se disa po japin edhe tash të njëjtat shenja. Të tregosh gishtin tek dobësitë, të drejtosh gishtin te tjetri e vetë të rrish pas gishtit është e lehtë. Ata që kritikojnë do na bindin vërtetë se kanë të drejtën në instancë të fundit nëse e marrin një strukturë partiake, një degë partie, një zonë në qytet a në fshat dhe na e ndërtojnë një model funksional organizimi partiak, frymë politike në strukturën që sipërmarrin të gatshëm për fitore.
Po disa që flasin nuk janë nga ata që e bëjnë këtë. Nuk më vjen mirë që disa njerëz me bukën që kanë marrë në shtëpinë tonë, e nxisin veten t’i gjuajnë shtëpisë me bukën e marrë. E shkelin bukën dhe kush shkel bukën, thonë, nxjerr sytë e tij.
Kush janë ata që e kanë shkelur bukën e PD-së? E keni fjalën për kritikët e kreut Basha brenda grupit të deputetëve?
Problemi këtu nuk është kritika për z.Basha. Ai dhe askush lider mbi këtë tokë nuk është i pa kritikueshëm. Por frymën në parti nuk mund ta krijojë vetëm z.Basha. Ai ka rolin e tij, por nuk mund ta krijojë këtë frymë i vetëm. Të gjithë bashkë krijojmë frymë.
Më habisin disa që shpikin “frymëzime politike” që nuk kanë ekzistuar. Nëse ndonjë u ka besuar thashethemeve të korridoreve një herë e një kohë se “do ta heqim plakun” dhe kësaj i thonë “fryma ndryshe”, mua më mbetet të them bashkadava lopa e Kadisë. Në pikëpamjen time z.Basha po i kryen detyrimet e tij si kryetar i opozitës.
Përderisa po i kryen detyrimet e tij, atëherë pse sulmohet kaq shumë z.Basha edhe nga të vetët?
Nuk janë shumë. Media edhe i zmadhon.
Janë zëra të njohur të PD-së, nuk janë pak, janë z. Selami, znj. Topalli, z. Patozi, znj. Bregu, jo rrallë z. Pollo dhe z. Ruli….?
Janë plotësisht në të drejtën e tyre. I vlerësoj për kontributet e deritashme, por nëse kritikojnë nuk do thotë se i kanë mbaruar detyrat dhe detyrimet e tash mund të flasin rreth oxhakut. Ka individë që ndonjëherë kanë heshtur gjatë. Kthehen pastaj të pasuruar me kritika. PD-ja është dhe mbetet parti e principeve. Po nëse principi është vetëm evidentimi i dobësive dhe delegimi i tyre tek të tjerët jemi duke menduar jo racionalisht dhe më e pakta mund të them se flitet me frymë interesi. Është përballuar kjo forcë politike shumë gjatë me kritikën për kritikë.
I pari që ka dashur ta marrë PD-në ka qenë Edi Rama. Nuk e mori dot dhe iku me bisht nën shalë si intriganti më i madh, sulmuesi më i madh dhe kritizeri me ekstrem i saj. Sot madje e rren mendja se bind kënd duke e konsideruar dhe “armike e kriminale”. Pastaj të tjerët sapo i kanë bërë dy javë në PD, kanë ikur dhe kanë thënë: Kjo parti nuk bën. Në këto 26 vjet kanë ikur dhe kanë ardhur pa pushim, kanë hyrë dhe kanë dalë pa u menduar dy herë. Disave u vjen frymëzimi për të kritikuar, janë larg postit e ndofta, duke menduar për postin. Kjo lloj kritike vlen pak ose aspak. E them me siguri se problem me strukturat partiake të terrenit nuk kemi sot për here të parë.
Jam një nga ata që ka qenë aty brenda tyre 25 vjet pa lëvizur, dhe flas siç i kam parë e ndjekur. Dhe kur ka pasur probleme në terren nuk ka shkuar lideri historik Berisha në çdo kryesi, degë partie për të racionalizuar debatet, siç disa sot ia kërkojnë vetëm Bashës. Ishte shumë i madh grupi që lëvizte në terren çdo javë, çdo muaj, sa herë lindnin probleme. Ka një të vërtetë. Drejtuesit kryesore të partisë, përveç kryetarit, drejtuesit e grupit parlamentar dhe anëtarët e kryesisë së partisë kanë pasur në terren autoritet politik të padiskutueshëm. Mendoj se kjo praktikë dhe ky autoritet ka vend të përmirësohet nga dita në ditë. E roli në komandë i Bashës këtu natyrisht është primar.
Po tentojnë t’i marrin partinë Lulzim Bashës?
Nuk jam në mendjen dhe në planet e askujt. Po nuk e marrin dot. Pra ka një tentativë të tillë? Mund ndonjë të japë shenja të kësaj natyre. Por ajo që mund të them me siguri është se nuk e marrin dot.
Përse jeni kaq i bindur?
Z.Selami dhe znj.Bregu kanë vënë në diskutim pozicionin e z.Basha si lidership i partisë. Duhet të kesh kryqe ta marrësh drejtimin e një partie. Madje duhet të kesh kryqe politike të forta. Unë nuk shoh aktualisht në PD ndonjë emër befasues që të më bindë se do bënte mrekullirat që ka në fjalorin publik të komunikimit. Ndonjëherë dhe atë defektoz. Këtë e them aq sa njohje kam unë dhe duke pretenduar se i njoh. Po fjala ime dhe e mijëra të tjerëve nuk i pengon ata në lirinë e zgjedhjes, në lirinë e fjalës, në lirinë e kritikës, në lirinë për t’u bërë lider. Dhe unë këtë të drejtë po përdor nënvlerësimet e mia.
Megjithatë vet z.Basha a ka gjëra që duhet t’i përmirësojë për sa i përket drejtimit të PD-së?
Po, absolutisht, si çdo drejtues po. Por nuk mund të sulmohet vend e pa vend Basha se nuk ka frymë në PD. Frymën e krijojmë të gjithë bashkë. Partia nuk është e Lulzim Bashës. Partia nuk ka qenë e Sali Berishës. Partia nuk është e askujt individualisht. PD-ja nuk është pronë private, e askujt. PDja nuk mund të bëhet zëdhënëse e interesave individuale të askujt. Frymën e krijojmë të gjithë ne bashkë. Dhe të krijosh frymën do të thotë të punojmë të gjithë. Z.Basha po sulmohet.
A ka ndonjë modalitet statutor për të shkuar PD-ja në zgjedhje para 2017-ës?
Jo. Unë pyes: Po pse krijohen këto insinuata skutave? Kush dëmtohet nga këto insinuata, thjeshtë Basha, apo PD dhe të gjithë ne. Unë them PD-ja dëmtohet. Basha i ka kryer detyrat që ka marrë përsipër në PD. Konkretisht dekriminalizimin, reformën në drejtësi, betejën kundër krimit dhe korrupsionit, përqasjen e një programi qeverisës të reformuar për të nesërmen.
Marrëdhënie racionale me palët politike në vend dhe me palët politike ndërkombëtare. As nuk e ka ulur kurrizin dhe as nuk ka treguar irritim apo agresivitet të panevojshme. Është një nga njerëzit e klasës sëre politike në Shqipëri me ide të qarta, konseguent, pa asnjë tolerancë atje ku ai e kupton se ka te drejtë. Politikan me një verb politik që i përshtatet qetësimit të debatit pervers politik. Klithmat se do ta votojnë, apo nuk do ta votojmë ligjin e reformës në drejtësi dhe pa vendim politik, apo gjera të tjera të kësaj natyre, mendoj se janë klithma të dëshpëruara që nuk i bëjnë mirë PD-së.
Por jetojmë në liri dhe kushdo ka të drejtën e tij. Ky grup kritizerësh mund të krijojnë një parti të re. Askujt nuk i ndalohet e drejta të krijojë parti. Po nuk mendoj se njeriu duhet të gabojë tre herë, katër herë. Një herë mund të gabojë, por pastaj mbledh mendjen. Nëse dikush do që të shkojë gabim pas gabimi, atëherë është zgjedhje e gjithsecilit dhe kushdo i del për zot zgjedhjes së tij.
ma.me