Komisioni i Jashtëm është shoqëruar me debate të forta ditën e sotme kur po shqyrtohej marrëveshja mes Shqipërisë dhe SHBA-së që ofron 7 milion dollarë ndihmë për agjencitë ligjvënëse, në luftën kundër drogës dhe krimit në tërësi.
Replikat kanë pasur në qendër Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-ministrin e jashtëm Aldo Bumçi të PD. Ky i fundit sulmoi ministrin Tahiri sa i përket luftës ndaj krimit dhe narkotikëve.
Përballë këtij debati ministri i ka kthyer reston duke i kujtuar ish-ministrit të Jashtëm Bumçi tragjedinë e Gërdecit, duke u shprehur se nga zyra e deputetit demokrat kanë dalë fakse për Shkëlzen Berishën dhe përfshirjen e tij në tragjedinë e Gërdecit.
Debatet:
Tahiri- Bumçit: Prokuroria ka vërtetuar se nga zyra juaj kanë dalë fakse për Shkëlzen Berishën. Ndoshta dhe ju vetë zoti Bumçi si ish-ministër i Jashtëm duhej të ishit thirrur të dëshmonit për Gërdecin, sepse ju ka dalë emri. Sepse ka problem pandëshkueshmëria.
Bumçi: Ju mashtroni sepse s’ka asnjë fakt zyrtar nga Prokuroria. Çdo devijim tregon se ka probleme. Sepse ambasada e SHBA dhe zëvendëssekretarja Amerikane e Shtetit ka thënë mos kandido njerëz me të kaluar kriminale
Por pavarësisht toneve të ndezura, debatit nuk i kanë munguar as batutat. “Ndoshta vetëm ballkoni i shtëpisë suaj mbeti pa u mbjell me kanabis”, – ju drejtua ministri Tahiri Bumçit, duke iu referuar periudhës së një viti më parë kur ende nuk ishte ndërhyrë nga policia në Lazarat, fshatin e konsideruar Republika e kanabisit.
Tahiri: Dua t’ju siguroj se lufta kundër krimit të organizuar e informalitetit ka të bëjë me kapacitetin tonë teknologjik, infrastrukturor etj. Pavarësisht qëndrimit të opozitës ka kohë të bëhemi bashkë kundër krimit. Ma do mendja keni pasur të njëjtin qëndrim. Kur kryetari i PD Basha vajti atje dhe tha se u hoq droga nga Lazarati dhe u çua në vend tjetër. Sepse ka pasur përgjegjësi si ministër i brendshëm. Apo kur Berisha tha se policia ka marrë peng Lazaratin. Ne duhet të bëhemi bashkë në luftën kundër kriminalitetit.
Është hera e parë që Shqipëria nuk është më vend origjine. Kemi mesataren më të ulët të vrasjeve në 24 vite. Ju zoti Bumçi e mbani mend si konsiderohej Shqipëria. Dhe ndoshta vetëm ballkoni i shtëpisë tuaj mbeti pa u mbjell. Nga janari deri tani policia ka shkatërruar 230 mijë rrënjë kanabis. Mua më pyesni a janë kapur, jo pse janë mbjellë.









