Nga Lorenc Vangjeli /
Ndodhte fiks një muaj pas tragjedisë së Gërdecit, më e madhja e ndodhur në Shqipëri; 26 vetë, fëmijë, gra e burra ishin hedhur në erë në një fabrikë vdekjeje demontimi armësh. Një histori shumëplanëshe ku përfshihej shteti, biznesi privat, mashtrues të huaj, Forcat e Armatosura, dhe vetë ish-kryeministri Berisha. Një histori me shumë personazhe, me shumë djaj të dalë nga shishet, siç do të shprehej njëri nga këta protagonistë në bisedë me një tjetër protagonist që humbi jetën në një aksident tjetër të dyshimtë.
Megjithatë, që në fillim, shigjetat e para të akuzës publike dhe shumë më pak, të akuzës politike, ju drejtuan ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu. Për ironi të fatit, Mediu pa që u ndëshkua me burgim i gjithë zinxhiri komandues civil e ushtarak i ministrisë që drejtonte, por ai vetë as nuk arriti të gjykohet nga gjykata duke përdorur marifete procedurash dhe imuniteti. Revista Java ka siguruar tekstin e fjalës së tij në ditën që Kuvendi po i hiqte imunitetin dhe po e boton në vijim të fjalimeve të tjerë të mbajtur në të njëjtat rrethana.
E hënë, datë 16.06.2008, ora 18:00
Duke pasur respektin më të madh për votën tuaj, dua të them që në fillim se votimi i sotëm për mua është thjesht një akt formal, që ka të bëjë me zbatimin e një procedure parlamentare dhe aspak me imunitetin tim si deputet. Kam deklaruar se imunitetin e kam dorëzuar prej kohësh, ashtu siç ju kam kërkuar në mënyrë të përsëritur që ta votoni heqjen e tij. Imunitetin e kam dorëzuar më 15 mars, më tej me dorëheqjen time si ministër i Mbrojtjes, si dhe ligjërisht me letrën që i kam dorëzuar Prokurores së Përgjithshme, në datën 4 prill.
Kam vepruar në këtë mënyrë me bindje, sepse unë jam interesuar më shumë se kushdo tjetër që të gjithë qytetarët shqiptarë, viktimat dhe familjet e tyre që duan drejtësi, të mësojnë të vërtetën për ngjarjen e rëndë të Gërdecit.
Si bashkëqytetar i viktimave dhe i atyre që pësuan dëme të tjera fizike apo materiale, si prind e familjar dhe si i zgjedhur nga populli, nuk besoj se do të më qetësohet ndonjëherë në shpirt dhimbja për atë që ndodhi në Gërdec.
Dhashë menjëherë dorëheqjen, në vlerësim të përgjegjësive të mia, edhe pse i bindur se nuk kam përgjegjësi ligjore. Por si drejtues politik i Ministrisë së Mbrojtjes dhe si funksionar i lartë i shtetit nuk mund të anashkaloja, në asnjë moment, përgjegjësitë e mia morale, politike dhe institucionale, sepse në asnjë moment të vetëm qenien time në politikë dhe kontributin tim nuk e kam lidhur me pozicionin e ministrit.
…Në më shumë se dy vjet e gjysmë drejtova Ministrinë e Mbrojtjes me bindjen se reformat ishin prioritare për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, me bindjen se zbatimi i ligjit në çdo aspekt ishte detyrim imi dhe i çdo funksionari civil e ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes. Për dy vjet e gjysmë morëm mbështetjen dhe përgëzimet e të gjithëve, në veçanti të përfaqësuesve të NATO-s, në çdo takim dhe analizë, duke krijuar bindjen se ishim në rrugë të drejtë. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ka qenë ndoshta arritja më e madhe, fitorja e të gjithë shqiptarëve.
…Sot Prokuroria pretendon se:
1. Me veprimet apo mosveprimet e mia kam shkelur aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
2. Kam shmangur përfshirjen e strukturave ushtarake në procesin e pranimit dhe të miratimit të urdhrave që lidhen me demontimin.
3. Procesi i demontimit në Gërdec është nxitur nga interesa përfitimi të padrejta ndaj të tretëve.
Këto tri akuza të Prokurorisë, në gjykimin tim, nuk janë të mbështetura në prova dhe/ose nuk janë të bazuara në ligj.
Të gjithë duhet t’u përgjigjemi pyetjeve: A duhej dhe a duhet bërë demontimi? A paraqet municioni i tepërt një kërcënim serioz për sigurinë dhe jetën e qytetarëve?
Prokuroria në kërkesën e vet ngre akuzën se unë në cilësinë e ministrit me veprimet apo mosveprimet e mia kam shkelur aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Në kërkesën për heqje të imunitetit të Prokurorisë, unë akuzohem për shpërdorim detyre, por organi i Prokurorisë në asnjë rresht të vetëm të kërkesës së vet nuk tregon se cila ka qenë detyra ime si ministër, si dhe nuk tregon se cilat janë ato akte ligjore , të cilat përcaktojnë detyrën e një ministri Mbrojtjeje.
Për ministrin e Mbrojtjes, ndryshe nga ministritë e tjera, do të ishte e lehtë të konstatojë detyrat e tij ligjore, sepse janë përcaktuar në 22 nene në ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura”.
Nuk mund të ketë shpërdorim detyre pa detyrë dhe nuk mund të ketë shkelje të ligjit nga ana ime si ministër, kur nuk përmendet asnjë ligj që kam shkelur apo kur aktet nënligjore, të cilave iu referohet Prokuroria, nuk lidhen me detyrën e ministrit dhe, në ndonjë rast, këto akte nënligjore janë shfuqizuar prej kohësh.
Në çdo rast, me bindje kam respektuar detyrën time si ministër, ligjin dhe aktet nënligjore që përcaktojnë detyrimet dhe përgjegjësitë e ministrit. Kam zbatuar prioritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Demontimi dhe shkatërrimi i municioneve të tepërta dhe të vjetra është dhe mbetet një prioritet. Këto municione paraqesin kërcënim real për sigurinë e vendit dhe jetën e njerëzve.
Si ministër i Mbrojtjes kam pasur vetëm një qëllim, demontimin jashtë çdo interesi të kundërligjshëm apo marrëdhënie të kundërligjshme.
Shitja e municioneve për demontim është bazuar në vendimin nr.138 të Këshillit të Ministrave.
Çdo urdhër i ministrit është bërë në përputhje me ligjin, rregullat dhe procedurat e propozuara nga strukturat ushtarake dhe civile.
Ministri ka urdhëruar procesin e demontimit, bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.138. Strukturat zbatuese kanë detyrimin për shkak të ligjit, VKM-së dhe urdhrit të ministrit.
Deri ditën e ngjarjes së 15 marsit, nuk ka pasur asnjë njoftim tek unë, si ministër i Mbrojtjes për parregullsi, mungesë zbatimit të rregullave të sigurisë apo përfshirje në këtë proces të njerëzve jashtë kritereve.
Për ata që duan të vërtetën deklaroj se si ministër i Mbrojtjes kam respektuar ligjin dhe u kam shërbyer detyrimeve të mia ligjore dhe kushtetuese, duke e konsideruar asgjësimin e municioneve të tepërta si prioritet kombëtar.
Për ata që duan të vërtetën deklaroj me përgjegjësi për të disatën herë se nuk kam asnjë marrëdhënie të çfarëdo lloji, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me Delijorgjin apo kompaninë amerikane.
Shumë kanë ngritur pyetjen pse dhe si u zgjodh Gërdeci? Për ata që duan të vërtetën, Gërdeci në kontratën e parë është zgjedhur me negociata ndërmjet palëve, sipas propozimit të Shtabit të Përgjithshëm, ku si palë shqiptare për këtë çështje, me VKM-në e vitit 1991, është vetëm kompania MEICO. Në kontratën e dytë, për demontimin e municioneve 20-152 mm, Gërdeci është propozuar nga strukturat ushtarake si vend për demontim me shkresën e datës 22 nëntor 2007.
Për ata që e dinë si vendos dhe punon një ministër dhe nuk duan ta thonë deklaroj se çdo ministër për këtë proces vepron sipas propozimeve të ardhura nga strukturat ushtarake dhe civile, duke mos i përjashtuar ato në asnjë moment, që në prezantimin e kërkesës e deri kur kam dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes.
Vota juaj, siç thashë, me gjithë respektin, është një akt formal për mua, sepse ky imunitet nuk më intereson. Por gjithmonë raste të tilla duhet të shërbejnë si momente reflektimi, sepse kjo lojë e paprinciptë politike, për qëllime meskine, tenton të shkatërrojë në themel këtë institucion, Parlamentin dhe në këtë mënyrë t’i hapë rrugë ndikimit në politikë të klaneve dhe të gjithë atyre që mbas çdo deklarate që bëjnë nuk kanë asnjë qëllim tjetër, veçse të mashtrojnë, të fyejnë e të përbaltin, duke harruar se historia përsëritet, si për mirë, edhe për keq.
E them me bindje se kjo që më ndodhi mua është një provë e rëndë, madje shumë e rëndë, jashtëzakonisht e rëndë, e cila, në fjalë të fundit, nuk do të ma zbehë pasionin për politikën dhe as besimin te vetja për të vazhduar në këtë fushë. Unë do të jem midis republikanëve të Shqipërisë dhe përkrah të gjithë atyre që do të veprojnë me sinqeritet për ta modernizuar vendin tonë.
Ky është qëndrimi im. Unë nuk tërhiqem prej tij. Dhe për të nuk bëj asnjë kompromis.









