Në gushtin e vitit 1964, Shtetet e Bashkuara hynë zyrtarisht në Luftën e Vietnamit, pas raporteve për një sulm të paprovuar në Gjirin e Tonkinit. Por raportet ishin të rreme, dhe presidenti amerikan e dinte këtë. Në gushtin e atij viti, destrojeri amerikan “USS Maddox”, u vendos në Gjirin e Tonkinit në brigjet e Vietnamit të Veriut.
Më 2 gusht, ai u sulmua nga disa anije torpedo vietnameze. Ndërkohë, 2 ditë më vonë, administrata e presidentit Lindon Xhonson, pretendoi se anija luftarake ishte sulmuar sërish.
Pas sulmit të dytë, Kongresi Amerikan miratoi gati njëzëri një rezolutë, që e lejoi qeverinë federale “të marrë të gjitha masat e nevojshme”, për të mbrojtur forcat amerikane në Vietnam.
Ishte gati një deklarate lufte. Por e bazuar mbi një gënjeshtër. Pas dekadave plot dyshime dhe fshehtësisë nga ana e qeverisë, e vërteta doli në shesh:Në fillim të viteve 2000, u deklasifikuan gati 200 dokumente sekrete nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA).
Ato treguan se më 4 gusht nuk pati asnjë sulm. Zyrtarët amerikanë, kishin shtrembëruar të vërtetën mbi incidentin në Gjirit të Tonkinit, për përfitimet e tyre, dhe ndoshta në funksion të perspektivave politike të vetë presidentit Xhonson.
Por ajo gënjeshtër, shërbeu për të nisur një një luftë që do të shkaktonte vdekjen e 58.220 amerikanëve, dhe më shumë se 3 milionë vietnamezëve. Pas vrasjes së presidentit Xhon Kenedi, pasuesi i tij Lindon Xhonson dhe Sekretari i Mbrojtjes Robert Meknamara, e rritën gradualisht presionin ushtarak në brigjet e Vietnamit të Veriut, duke e ndihmuar Vietnamin e Jugut në ofensivat e tij ushtarake, si dhe në mbledhjen e informacioneve të inteligjencës.
Në vitin 1964, Vietnami i Jugut nisi të ndërmarrë një seri sulmesh dhe misionesh përgjatë brigjeve të Vietnamit të Veriut, gjithnjë me mbështetjen e SHBA-së. Ky plan, i njohur si Plani i Operacioneve OPLAN 34A, u konceptua dhe mbikëqyr nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes dhe CIA, por u zbatua në terren nga forcat e Vietnamit të Jugut.
Pas një seri misionesh të pasuksesshme, OPLAN 34A, e zhvendosi fokusin e tij nga toka në det, duke sulmuar infrastrukturën bregdetare të Vietnamin të Veriut. Deri në vitin 1964, forcat e Vietnamit të Veriut, nuk ishin gati t’i kundërviheshin këtyre operacioneve.
Në fund të korrikut të atij viti, ato po ndiqnin destrojerin “USS Maddox”, që cili ishte vendosur në fakt në ujërat ndërkombëtare, vetëm pak milje larg ishullit Hon Me në Gjirin e Tonkinit. Anija e marinës amerikane, nuk e sulmoi direkt Vietnamin e Veriut, por mblodhi informacione inteligjente për t’ua dhënë atos forcave të jugut.
Tre anije patrullimi të Vietnamit të Veriut, nisën gjurmimin e destrojerit në fillim të gushtit.
Kapiteni Xhon Herrik, përgjoi komunikimet e vietnamitëve, që sugjeronin se ata po përgatiteshin për një sulm, ndaj ai u tërhoq nga zona. Megjithatë brenda 24 orësh, “Maddox” rifilloi rutinën e tij të zakonshme të patrullimit në zonë.
Më 2 gusht, Herrik i dërgoi një mesazh urgjent Pentagonit, se “kishte marrë informacione, që flasin për veprime të mundshme armiqësore”. Destrojeri u urdhërua të qëllojë në shenjë paralajmëruese, nëse anijet armike afroheshin shumë. Anijet torpedo u afruan, dhe destrojeri qëlloi disa herë në shenjë paralajmëruese.
Forcat e Vietnamit të Veriut, u kundërpërgjigjën me sulm. Herrik dha alarmin, dhe zyrtarët amerikanë urdhëruan avionët bombardues aty pranë që t’u vinin në ndihmë. Teksa anijet armike lëshuan silurët e tyre, avionët amerikanë i sulmuan nga lart, duke u shkaktuar dëme të mëdha.
“USS Maddox” arriti të shmangë sulmin me silurë, duke pësuar disa dëme të lehta, dhe lundroi për në ujëra më të sigurta. Të nesërmen, destrojeri amerikan rifilloi patrullimin e tij në zonë, këtë herë bashkë me destrojerin tjetër “USS Joy Turner”. Që të dy qëndruan milje larg larg vijës bregdetare të Gjirit të Tonkinit.
Megjithatë, inteligjenca amerikane raportoi për mesazhe të përgjuara, që tregonin se forcat e Vietnamit të Veriut, ishin duke planifikuar operacione sulmuese në Gjirin e Tonkinit. Më 4 gusht, Kapiteni Herrik urdhëroi që të 2 destrojerët të dilnin në det të hapur, për të pasur më shumë mundësi manovrimi në rastin e një sulmi.
Anijet amerikane, ndodheshin tashmë më shumë se 100 milje larg vijës bregdetare të Vietnamit të Veriut. “Maddox” raportoi se radarët e saj kishin gjurmuar objekte të paidentifikuara që vinin në drejtim të saj nga drejtime të ndryshme. Ato zhdukeshin, vetëm për t’u rishfaqur disa sekonda ose minuta më vonë në një vend tjetër.
I frikësuar nga ndonjë sulm, kapiteni Herrik njoftoi sërish Pentagonin, dhe e kaloi ekuipazhin në gjendje luftimi. Avionët bombardues reaguan menjëherë. Ata fluturuan sipër destrojerëve për një orë e gjysmë, pa mundur të shohin ndonjë gjë të dyshimtë.
Komandati Xhejms Stokdejl, një nga pilotët e pranishëm në incidentin e Gjirit të Tonkinit, do të shprehej më vonë: “Unë ndodhesha në pozicionin më të mirë për të parë atë ngjarje, dhe destrojerët tanë thjesht po qëllonin mbi objektiva fantazmë. Atje tej nuk kishte asnjë armik”.
Ndërsa të shtënat vazhdonin, edhe kapiteni Herrik nisi të kishte dyshimet e veta. Ai e kuptoi se anijet që supozohet se po ndiqnin “Maddox”, mund të ishin fryt i performancës së dobët të pajisjeve, dhe operatorëve të papërvojë të radarëve. Në fakt, “USS Joy Turner” nuk zbuloi asnjë silur gjatë gjithë ngjarjes.
Megjithë përpjekjet e kapitenit, për të korrigjuar mesazhet e mëhershme gjatë incidentit të Gjirit të Tonkinit, zyrtarët amerikanë nisën të vepronin si të ishin nën sulm. Presidenti Xhonson vendosi që të hakmerret. Gjatë një fjalimi televiziv para qytetarëve amerikanë, ai shpalli nisjen e Luftës së Vietnamit.
Disa orë pas fjalimit të presidentit, komandanti Stokdejl u urdhërua të niste një sulm ajror kundër forcave të Vietnameze të Veriut. Ai do të deklaronte më vonë:” “Ne do të nisnim një luftë nën pretendimet e rreme, teksa ushtarakët në terren dëshmonin për të kundërtën”. Stokdejl drejtoi një sulm të 18 avionëve bombadrues, kundër një rafinerie nafte në brendësi të vendit, ku kishte ndodhur incidenti i supozuar i Gjirit të Tonkinit.
Ai operacion, shënoi aksionin e parë të hapur ushtarak të vendit kundër Vietnamit të Veriut.
Dy ditë më vonë, më 7 gusht, Kongresi miratoi Rezolutën e Gjirit të Tonkinit, që i dha presidentit autorizimin për të shtuar përfshirjen e SHBA-së, në luftën midis Veriut dhe Vietnamit të Jugut.
Xhonson i fitoi zgjedhjet e vitit 1964 me një shumicë dërrmuese, duke fituar numrin më të madh të votës popullore, sesa çdo kandidat tjetër presidencial që nga viti 1820. Nga mesi i vitit 1965, popullariteti i tij ishte 70 përqind, ndonëse ai ra shumë shpejt, teksa lufta po zgjaste më shumë se sa pritej.
Pjesa tjetër është histori: Gati 10 vitet e përfshirjes amerikane në Luftën e Vietnamit, u vranë rreth 2 milionë vietnamezë civilë, 1.1 milionë ushtarë të Vietnamit të Veriut, deri në 250.000 ushtarë të vrarë të Vietnamit të Jugut, dhe më shumë se 58.000 ushtarë amerikanë.(TTnews)/ l.m